Në kërkim të trajnerit, Chelsea hedh sytë nga Deschamps

24/01/2016 00:00

Lista e kandidaturave për pankinën e Chelseat është zgjatur më tej, teksa emri i fundit që është shtuar në të është ai i Didier Deschamps.

Lajmi bëhet i ditur nga tabloidi britanik “Daily Mirror”, sipas të cilit, padroni i “bluve” të Londrës, Roman Abramovich kërkon për stolin e kampionëve të Anglisë një trajner, që të qëndrojë për një afat kohor të gjatë.

Në vitet e kaluara, Abramovich ka qenë i detyruar të sjellë në skuadër trajnerë të përkohshëm, siç janë rastet e Guus Hiddink, Rafael Benitez dhe Avram Grant, ndaj dhe manjati rus nuk e dëshiron më një gjë të tillë tashmë.

Didier Deschamps është një prej të përzgjedhurve të Abramovich. Kontrata e trajnerit francez me Federatën e Futbollit të vendit transalpin për drejtimin e “Gjelave” përfundon me mbylljen e “Euro 2016”, ndaj dhe Abramovich do të bëjë tentativën e tij për ta sjellë te Chelsea.

Deschamps ka qenë pjesë e klubit londinez në të kaluarën, në vitin 2000, kur luajti një sezon me të. Me kombëtaren e Francës, ai ka fituar kampionatin botëror në 1998-n dhe atë europian në 2000-shin. Por, ajo që tërheq më shumë padronin e Chelseat është impakti që ai ka krijuar si trajner.

Deschamps ka drejtuar më parë edhe Monakon, duke fituar edhe titullin e kampionit në Francë, ndërkohë që në Itali ka drejtuar Juventusin. Deschamps u rikthye në Francë për të marrë drejtimin e Olimpikut të Marsejës, duke e udhëhequr këtë skuadër drejt titullit kampion në vitin 2010.

Top Channel