Greqi, arrestohet shqiptari që vrau bashkëshorten

24/01/2016 00:00

Pas 18 ditëve në kërkim, forcat greke të policisë kanë arrestuar shtetasin shqiptar, James Klodi Lesi, i cili 3 javë më parë kishte vrarë bashkëshorten e tij greke, 42-vjeçare, me të cilën kanë qenë në prag divorci.

Ai ka qëndruar i fshehur gjatë gjithë kësaj kohe në një kasolle, në një ullishtë të braktisur, derisa banorë të zonës e kanë parë dhe kanë njoftuar forcat e policisë. Ai ka pasur me vete edhe një prej fëmijëve të tij, djalin 4-vjeçar, të cilin e rrëmbeu pasi gjuajti disa herë me thikë gruan e tij.

Krimi, që ka tronditur Greqinë dhe ka qenë temë e parë e mediave greke për shumë ditë, ka ndodhur në fshatin Ormilia të Halkidikisë, 100 km në lindje të Selanikut. I divorcuar në 3 muajt e fundit nga bashkëshortja e tij greke dhe për shkak të konflikteve për ndarjen, 34-vjeçari shqiptar ka hyrë në shtëpinë ku banonte viktima me dy djemtë e tyre, të moshës 4 dhe 6 vjeç, dhe e ka vrarë atë para syve të tyre.

Autori, pasi ka marrë vetëm njërin prej fëmijëve, është larguar në këmbë nga vendngjarja dhe më pas është zhdukur.

Menjëherë pas arratisjes ka filluar një operacion për kapjen e tij në të gjithë zonën e Halkidikisë, si dhe në pikat kufitare me Shqipërinë, ndërsa familjarët e viktimës luteshin që të paktën të mos pësonte gjë djali i vogël, që kishte marrë me vete.

34-vjeçari shqiptar, i fshehur ka komunikuar edhe me një prej juristëve më të mirë të vendit, por ai i ka vënë kushtin që, nëse donte ta përfaqësonte në gjyq, duhej më parë të dorëzonte djalin e tij.

Arrestimi i tij nga Policia e Poligjiros në Halkidiki është bërë teksa shpresat për kapjen e tij kishin filluar të veniteshin. Për fat të mirë, gjendja shëndetësore e fëmijës është e mirë, teksa i vogli i është nënshtruar menjëherë ndihmës së psikologëve.

Top Channel