Vlorë, kundërshtojnë e dhunojnë policët, arrestohen dy persona

24/01/2016 00:00

Dy shtetas shqiptarë, banues në Vlorë, kanë përfunduar në prangat e policisë së qytetit bregdetar, pasi kundërshtuan dhe më pas ushtruan dhunë fizike kundrejt dy efektivëve të policisë. Ngjarja ka ndodhur paraditen e kësaj të diele, ndërsa efektivët kanë marrë dëmtime të lehta.

Ngjarja, siç raportojnë nga policia, ka ndodhur paraditen e kësaj të diele, kur dy shtetasit Gaqo dhe Lorenc Gjini, 35 vjeç dhe 25 vjeç respektivisht, u afruan pranë zyrave të informacionit të Drejtorisë së Policisë së Vlorës për çështje personale, por aty kanë krijuar një konflikt të çastit me punonjësin e policisë, të cilin e kanë kundërshtuar.

Situata duket se është rënduar edhe më tej, kur personat në fjalë kanë nisur të ushtrojnë dhunë fizike mbi dy efektivë të policisë, të identifikuar me inicialet Xh.Q. dhe E.V., por gjendja e tyre nuk përbën shqetësim.

Dy agresorët tashmë janë arrestuar dhe pritet të përballen me akuzat për “kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “plagosje e lehtë me dashje”, materialet hetimore për të cilat i kanë kaluar Prokurorisë së Vlorës.

Top Channel