Plani 5-vjeçar për energjinë e rinovueshme, prodhim nga dielli e era

24/01/2016 00:00

Shqipëria prodhon 100% të energjisë nga burimet ujore, por kjo sasi nuk plotëson të gjithë nevojën e brendshme për konsum, e cila kompensohet përmes importit.

Në një plan, që parashikon sesi do të zhvillohet energjia e rinovueshme në 5 vitet e ardhshme, qeveria ka planifikuar të mbrojë investimet që do të kryhen për të prodhuar energji nga dielli dhe era, për të zbutur varësinë nga hidroenergjia, e cila sot është e ndikuar nga luhatjet e shpeshta të motit.

“Për herë të parë parashikohen kapacitete të reja me skema mbështetëse për burimet eolike dhe fotovoltaike, përfshirë projektet e reja për të cilat ka pasur shumë interes. Duke qenë se jemi vend autoprodhues, pra konsumatorë që duan ta prodhojnë vet energjinë, do të garantohet blerja për kapacitetin 50 megavat nga fotovoltaikët dhe 30 megavat nga eolikët, burime me erë”, tha Entela Çipa, këshilltare për Energjinë, MEI.

Por, cila është formula që do të përcaktojë çmimin, me të cilin shteti do të garantojë blerjen e kësaj sasie energjie dhe, a do të reflektohet në kosto?

“Sasia është e qartë, por problemi që kemi pasur është me çmimin. Jemi duke parë disa opsione, një mund të jetë në kuadër të liberalizimit të tregut, të dalin në treg dhe diferencën e çmimit t’ua garantojë shteti, por pa krijuar problemin e mosreflektimit të kostos së blerjes së energjisë nga burime të rinovueshme në tarifën për konsumatorët. Pra do të reflektohet, jo siç u krijua hendeku në KESH”, tha Entela Çipa.

Përpjekjet për të rritur burimet e energjisë të prodhuara nga burime të pastra kanë nisur më herët. Gjatë viteve 2007-2008, qeveria dha leje për ndërtimin e disa parqeve që krijonin energji nga era. Madje, fushata nuk kurseu as zonat turistike, siç ishte rasti i Gjirit të Karaburunit, për të cilin pati protesta masive nga shoqatat ambientaliste.

Por që atëherë, energjia e erës mbeti projekt në letër, duke mos u realizuar kurrë, përfshirë shumë projekte të tjera energjetike.

Top Channel