Kosovë, VV: Policia, e kapur dhe e shantazhueshme

24/01/2016 00:00

Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar Policinë e Kosovës se është e kapur dhe e shantazhuar nga njerëz, që – sipas Vetëvendosjes, – ka dyshime se nuk i kanë kaluar verifikimet e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, gjatë një konference për media tha se, pavarësisht se procesi i verifikimit të policëve nga AKI-ja ka përfunduar, askush në polici nuk pranon të tregojë sesa efektivë policie nuk e kanë kaluar verifikimin.

Selimi tha se, edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk ka bërë asnjëherë të ditur, nëse ai vet e ka kaluar verifikimin e sigurisë nga ana e AKI-së.

“Pra si pasojë e këtij mos kalimi të verifikimit të sigurisë në Policinë e Kosovës, shumë zyrtarë, shumë eprorë në Policinë e Kosovës sot janë në shantazhuar. Pushteti e din se kush e ka kaluar dhe kush nuk e ka kaluar këtë verifikim. Prandaj këta njerëz sot shantazhohen me vendet e tyre të punës, duke e ditur se i njëjti nuk e ka kaluar verifikimin e Policisë. Dhe shantazhi vije në këmbim të zbatimit të urdhrave të paligjshëm ku ata janë krejt urdhra partiak e politik”, tha Sinc: Rexhep Selimi, deputet i Vetëvendosjes.

Selimi tha se efektivët e Policisë së Kosovës, pas shantazheve që marrin nga shefat e tyre bëjnë shkelje të ligjit duke rrahur dhe keqtrajtuar qytetarët që protestojnë. Prandaj, ai shtoi se Vetëvendosje është duke grumbulluar padi ndaj policisë. Së shpejti, mbi 100 të tilla do t’i dorëzojë në Prokurori. Në këto padi, ai tha se janë bashkuar edhe rreth 40 protestues nga Shqipëria, që më 9 janar nuk u lejuan nga Policia Kufitare të futeshin në Kosovë për të marrë pjesë në protestën e opozitës në Prishtinë.

“Ndërkohë kemi edhe rreth 40 qytetarë të Republikës së Shqipërisë, të cilët në pamundësi për të bërë kallëzime penale ndaj Policisë së Kosovës këtu në institucionet tona, kanë qenë të detyruar që këto kallëzime penale t’ia dorëzojnë Ambasadës së Kosovës në Tiranë si kallëzime penale ndaj sjelljeve jo të ligjshme, pra nda thyerjes së ligjit të Policisë dhe ligjit për menaxhimin e kufijve që ka ndodhur më datë 9 janar kur qytetarë të Shqipërisë janë kthyer padrejtësisht nga kufiri në Vermicë”, tha Sinc: Rexhep Selimi, deputet i Vetëvendosjes.

Në këtë konferencë për media, zyrtarët e Vetëvendosjes i ka bërë thirrje policisë, që në protestën e radhës të ftuar më 17 shkurt, të mos ushtrojnë dhunë ndaj protestuesve, ndërsa thanë gjithashtu se protesta do të jetë e qetë.

Top Channel