Serie A, Carpi surprizon Interin; fiton Napoli

24/01/2016 17:00

Një gol i shënuar në minutën e dytë të shtesës i ka hequr Interit 2 pikë mjaft të rëndësishme në garën për titull. Zikaltrit u ndalën nga Carpi 1-1 në “San Siro”.

Të besuarit e Mancinit shënuan që në pjesën e parë me Palacio, por në 45 minutat e dytë bënë një paraqitje të dobët. Kundërshtari u ndëshkua edhe me karton të kuq në minutën e 83 dhe atëherë kur u mendua se Interi mori 3 pikë në këtë takim, Lasagna befason në “San Siro” duke barazuar rezultatin në 1-1 në minutën e dytë të shtesës.

Ndërkohë, Napoli nuk di të ndalet në Serie A. Ata fituan në transfertën e vështirë të Sampdorias me rezultatin 2-4, duke mos e vënë për asnjë minutë fitoren në diskutim. I përhershmi Higuain e Insigne ishin autorë të dy golave në pjesën e parë, ndërsa në të dytën shënuan edhe Hamsik e Mertens. Për vendasit e Sampdorias shënuan Correa dhe Eder.

Etrit Berisha ishte protagonist kryesor në fitoren me përmbysje 4-1 të Lazio-s ndaj Chievo-s. Gardiani kuqezi bëri një dalje të gabuar në golin e parë të miqve, ndërsa në fundin e takimit priti 11-metërshin e ekzekutuar nga Paloschi.

Këtë të diel në Serie A fituan edhe Palermo 4-1 ndaj Udinese-s, si dhe Bologna 0-2 në transfertë ndaj Sassuolo-s. Takimi mes Verona-s dhe Genoa-s u mbyll në barazim 1-1.

Pas javës së 21, klasifikimi në Serie A udhëhiqet nga Napoli me 47 pikë, 5 më shumë se Juventusi i vendit të dytë, të cilët do ta luajnë ndeshjen e kësaj jave në mbrëmje ndaj Romës.

Në rënie të lirë është Interi, i cili ka përfunduar në vendin e katërt pas këtij barazimi. 

Top Channel