Përkujtohet 97-vjetori i vdekjes së Ismail Qemalit

24/01/2016 00:00

U përkujtua sot 97-vjetori i vdekjes së Ismail Qemalit, njeriut që më 1912 shpalli pavarësinë e Shqipërisë në qytetin e Vlorës. Në kuadër të kësaj dite të shënuar për mbarë vendin e në veçanti për qytetin e Vlorës, kryebashkiaku Dritan Leli zhvilloi homazhet e rastit te varri i Ismail Qemalit.

Pas homazheve në varrin e Ismail Qemalit, kryebashkiaku Leli zhvilloi një vizitë në ambientet e muzeut “Pavarësia”, ku u prit nga drejtori i këtij institucioni, Istref Dobi, i cili përveçse e njohu kryebashkiakun me situatën aktuale të infrastrukturës së muzeut, bëri prezent edhe një herë rëndësinë e figurës së Ismail Qemalit në rrjedhën historike të kombit tonë.

Leli ritheksoi kontributin e paçmuar të kësaj figure historike që shenjoi me heroizmin e tij formësimin e shtetit të parë shqiptar.

Më 28 Nëntor të vitit 1912 Shqipëria shpalli pavarësinë dhe Ismail Qemali ishte kryeministri i parë i Shqipërisë. Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali. Njohja ndërkombëtare e pavarësisë si dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë u bë pas një viti në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, vendim i së cilës qe shpallja e Principatës shqiptare sovrane nga Perandoria Osmane nën mbikëqyrjen e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe lënia e gjysmës së territoreve të shtetit të porsaformuar jashtë kufijve të tij administrativë.

Top Channel