Opozita arrogante dhe e vjetruar nuk dëshiron të kthehet në pushtet

24/01/2016 00:00

Ilir Yzeiri – Qeveria e Edi Ramës dhe koalicioni PS-LSI është vënë me shpatulla për muri prej opinionit publik, sepse qeverisja e tyre ka dështuar në mënyrë spektakolare.

Që në fillim, të gjithë mendonin se koalicioni i Edi Ramës me Ilir Metën nuk do të sillte mrekullinë, por askush nuk e kishte menduar që veçanërisht Edi Rama do të ndiqte modelin e Sali Berishës dhe do ta kthente qeverisjen e tij në një llokmë për orekset e pashuara të pushtetit paralel në Shqipëri që përbëhet prej afaristësh okultë, të cilët qëndrojnë në hije pas cilësdo qeveri që vjen dhe marrin të gjitha fondet publike për shërbime që mund të kryheshin prej vetë shtetit. Qeverisja e Berishës do të mbahet mend për hajdutërinë me Rrugën e Kombit dhe për makutërinë dhe megalomaninë idioteske me të cilën nisi rrugën Tiranë – Elbasan, të cilën e ndërtoi sikur të ishte një aks që do të lidhte dy shtete në Amerikë dhe jo një aks mbi të cilin në dy orë kalojnë dy apo tri autovetura. Ambasadori gjerman para disa kohësh deklaronte i tromaksur se si ka mundësi të shpenzohen kështu paratë publike në një investim që nuk ka lidhje me madhësinë e parave që janë derdhur aty. Sidomos ndërtimi i dy tuneleve dhe gjerësia e rrugës nuk e justifikojnë atë investim. Sot ajo rrugë ka mbetur gërmadhë dhe e papërfunduar dhe shqiptarët vazhdojnë të paguajnë miliona euro borxhe, interesa dhe kredi për çmenduritë e një njeriu i cili, sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, vrau dhe katër protestues më 21 janar. Ajo që është e pabesueshme në këtë histori është ajo që bën Edi Rama. Ky njeri i di të gjitha shpenzimet, vjedhjet dhe krimet që ka bërë Sali Berisha, i njeh shpenzimet e çmendura të qeverisë së tij dhe abuzimet me fondet publike dhe, në vend që të bjerë në dëshpërim të thellë, në vend që të reflektojë, në vend që të ndihet me fat se mund t’ua kthejë shpresën shqiptarëve, vazhdon edhe ai të njëjtën rrugë. Ajo që ka bërë ai me Vilma Nushin, pra koncesioni që ai i ka dhënë kësaj tregtareje duhani për të kryer check-up-in për dhjetë vjet me një fond prej 120 milionë eurosh është një vjedhje e pastër, një vjedhje e ndyrë dhe një shpërdorim flagrant i fondeve publike. Të gjithë ata që e kanë investiguar këtë rast, kanë vënë re një shtrembërim flagrant të qëllimit të këtij investimi me përfitimin prej tij. Kompania e tregtares së duhanit, Vilma Nushi, do të sjellë pajisjet duke marrë prej shtetit çdo vit 10 milionë euro, ndërsa shërbimet do t’i kryejnë qendrat shëndetësore. Unë kam kryer një vizitë nëpër të gjitha qendrat shëndetësore të Tiranës dhe interesi i personave që duhet të kryejnë këtë check-up është thuajse zero. Ka një alarm nga Ministria e Shëndetësisë që i kërcënon punonjësit e mjerë të këtyre qendrave shëndetësore që të bëjnë të pamundurën që të ftojnë personat me moshë 45-60 vjeç që të vijnë të bëjnë këtë kontroll, por askush nuk e ka mendjen që të realizojë oreksin e Vilma Nushit dhe të Edi Ramës, sepse ato para janë një vjedhje e hapur. Prokuroria duhet të na tregojë urgjentisht se si do t’i shpenzojë Vilma Nushi 10 milionë euro çdo vit për dhjetë vjet rresht, çfarë do të blejë me to. Sepse me aq lekë ndërtohet nga fillimi Rruga e Arbrit, bëhen nga fillimi dhjetë spitale moderne në të gjithë Shqipërinë. Vilma Nushi duhet të dalë në publik dhe të na tregojë se çfarë do të bëjë me paratë tona. Disa emisione investigative kanë ngritur alarmin, por kjo nuk mjafton. Kjo vjedhje duhet të ndalohet dhe ky koncesion duhet të anulohet. Ne nuk i kthejmë dot më 200 milionë eurot që i dogjëm për Rrugën e Kombit, nuk i kthejmë dot milionat e eurove që u bënë hi për projektin megaloman të rrugës Tiranë – Elbasan, por duhet të ndalojmë këtë vjedhje të madhe që është i njëjti skandal si i atyre që përmenda më sipër. Por që të ndodhë, kjo duhet të kemi institucione të pavarura. Për fat të keq, të tilla institucione nuk i kemi ndaj edhe të gjitha qeveritë na vjedhin. Edhe opozita po sillet në mënyrë të tillë që të krijon përshtypjen se nuk do të vijë në pushtet. Ajo shfaqet në çdo rast arrogante dhe e pagdhendur dhe ka zgjedhur si stil të komunikimit vetëm përballjen me sharje dhe fyerje. Dëgjova Jozefina Topallin që thoshte se nuk u japim llogari aleancës së qelbësirave për 21 janarin. Kjo zonjë që të kujton komunistët fanatikë të ’45, harron se Parlamenti Shqiptar nuk është ringu ku ndeshen politikanët, por është foltorja e madhe në të cilën të zgjedhurit edhe duke debatuar me njëri-tjetrin u flasin zgjedhësve të tyre, i flasin publikut. Në komunikimin e sotëm studiohen me hollësi personazhet e thënies, autori, folësi bashkëfolësi dhe publiku. Sa herë që ne flasim në publik u drejtohemi jo vetëm bashkëfolësit, por edhe publikut. Kur Jozefina Topalli deklaron në Kuvend se nuk u japim llogari aleancës së qelbësirave për 21 janarin, ajo në fakt, ka thënë dy gjëra, e para i është përgjigjur parafolësit kundërshtar duke i thënë se nuk të pyes fort ty dhe e dyta na është drejtuar neve publikut që e dëgjojmë se nuk kemi ndërmend t’u tregojmë këtyre atë që bëmë më 21 janar dhe juve që na dëgjoni kënaquni me forcën që po tregojmë duke ua thyer turinjtë këtyre socialistëve që na kërkojnë t’u themi se çfarë bëmë më 21 janar. Për opozitën nuk ka kauzë publike, pra opozita mendon se ajo dhe militantët e saj kanë për detyrë që të përleshen me fjalë dhe të luftojnë në Kuvend me armët e bandave. Për ta nuk ka interes publik, por ka vetëm interes politik. Opozita nuk do të vijë në pushtet, sepse nuk i intereson që të përballet me qeverisjen e këtij vendi. Sheikët e PD-së që kanë pasuri përrallore janë të interesuar të rrinë në opozitë dhe të recitojnë në Parlament një herë në javë trakte politike që të mbajnë ndezur militantët e gjorë për të qenë opozitarë të emëruar. Ajo që po ndodh në Shqipëri është e çuditshme. Ne jemi i vetmi vend ndoshta në Europë ku opinioni publik është i diferencuar si nga qeveria si nga opozita. Që të dyja edhe opozita edhe qeveria po shfaqen si formacione që nuk mbrojnë interesat publike, por ruajnë interesat e tyre dhe të kastës ekonomike me të cilën ndajnë paratë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel