Presidencialet në SHBA, Bloomberg sfidon Clinton e Trump

24/01/2016 00:00

Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, pronar i grupit mediatik që mban emrin e tij, dhe një prej njerëzve më të pasur e me më shumë influencë në SHBA, përgatitet të sfidojë Donald Trump-in e Hillary Clinton.

Michael Bloomberg, po  shqyrton mundësinë që të përfshihet në garën për president të Shteteve të Bashkuara si kandidat i pavarur. 73-vjeçari shërbeu për tri mandate si kryebashkiak i qytetit më të madh amerikan dhe që nga largimi i tij dy vjet më parë, është përpjekur pa sukses që të fitojë mbështetje për ligje më të rrepta të kontrollit të armëve në SHBA.

Pasuria prej 40 miliard dollarësh buron nga përdorimi i gjerë i asaj që shumëkush në sektorin e financës dhe në rrethet mediale e njohin si “makina Bloomberg”, një koleksion i gjerë dhe i kushtueshëm i të dhënave financiare rreth kompanive dhe ekonomive nga e gjithë bota.

Sipas mediave amerikane, Bloomberg u ka thënë bashkëpunëtorëve se është i gatshëm të shpenzojë një miliardë dollarë nga pasuria e tij për fushatën, ndërsa i ka dhënë vetes afat deri në fillim të muajit mars që të vendosë nëse do të kandidojë, pasi Partitë Demokratike e Republikane të vendosin për kandidatët e tyre gjatë javëve në vazhdim.

Bashkëpunëtorët e Bloombergut thonë se ai është veçanërisht i shqetësuar për dominimin e konkurrencës republikane nga një miliarder tjetër, manjati pompoz njujorkez i pasurive të patundshme Donald Trump, të cilin Bloomberg e njeh prej dy dekadash, dhe gjithashtu është i shqetësuar për rezultatin e garës tek demokratët.

Bloomberg, dikur një republikan që më vonë u deklarua i pavarur, shqyrtoi mundësinë e kandidimit edhe në vitin 2008, por braktisi përpjekjet pasi nuk arriti të sigurojë shumë mbështetje.

Top Channel