Ngërçi politik në Spanjë, pas një muaji, ende pa qeveri

24/01/2016 00:00

Një muaj pas zgjedhjeve parlamentare në Spanjë që rezultuan pa një fitues bindës, përpjekjet për krijimin e një qeveria koalicioni vazhdojnë të mos prodhojnë asnjë rezultat.

Kryeministri konservator në detyrë, Mariano braktisi të shtunën përpjekjet e fundit për të krijuar një qeveri, por ai paralajmëroi se socialistët do të ziheshin ngushtë nga e majta ekstreme Podemos, e cila do të ishte pjesë e një qeverie të drejtuar nga socialistët. Dhe në fakt, vetëm disa orë më vonë socialistët akuzuan Podemosin për shantazhim.

Partia e Pedro Sanchesit e bëri të qartë se nuk do të hynte në negociata me forca të tjera politike në përpjekjen për të krijuar një qeveri të qëndrueshme, veçanërisht kur propozimet vijnë përmes shantazhimeve. Sipas saj, për të krijuar një projekt të ri kombëtar, bisedimet mbi politika dhe ide specifike nuk duhet të zhvillohen mbi bazën e taktikave, interesave partiake apo vendimeve të imponuara në mënyrë të njëanshme. Lideri i Podemosit, Pablo Iglesias ka kërkuar të jetë zv.kryeministër në qeverinë e drejtuar nga socialistet. 

Partia Popullore e Rahoit fitoi zgjedhjet parlamentare të muajit të kaluar, por arriti të sigurojë vetëm 123 mandate në parlamentin me 350 vende. Ai kërkon të krijojë një koalicion të madh me socialistët që kanë 89 vende në parlament dhe partinë qytetarët, me 40 vende. Por lideri socialist ka ide të tjera.

Ai do të krijojë një aleancë të majtë ku do të përfshihet edhe Podemos, parti e cila në zgjedhje siguroi 65 mandate dhe gjithashtu e majta e bashkuar me 2 vende në parlament. Një koalicion i tillë do të kërkonte edhe mbështetjen e partive të vogla nacionaliste baske e katalanase, në mënyrë që ti mbijetonte votëbesimit nëse do të humbnin mbështetjen e partisë qytetarët.

Top Channel