Lojërat Olimpike në Brazil, masa kundër virusit “Zika”

24/01/2016 00:00

Autoritetet ne Rio De Janeiro kanë njoftuar planet për të parandaluar përhapjen e virusit “Zika” gjatë Lojërave Olimpike më vonë gjatë vitit.

Një epidemi e sëmundjes që përhapet nga mushkonjat, e që shkakton defekte të rënda tek foshnjat e sapolindura, po shkakton shqetësime të mëdha në Brazil dhe vende të tjera të Amerikës Latine.

Siç u njoftua, ambientet Olimpike do të dezinfektohen nga mushkonjat 4 muaj para nisjes së lojërave. Pastrime ditore do të zhvillohen edhe gjatë lojërave. Por autoritetet bënë të ditur se metoda e tymosjes do të aplikohet vetëm me raste, për të mos vënë në rrezik shëndetin e atletëve dhe vizitorëve.

Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se i ka varur gjithashtu shpresat tek fakti se aktiviteti do të zhvillohet në muajin gusht, i cili në këtë vend është zakonisht më i freskët e i thatë dhe mushkonjat janë më pak të pranishme.

Ky njoftim i autoriteteve të Rios vjen mes shqetësimeve në rritje, për numrin e madh të rasteve me “Zika” në vendet e Amerikës Latine. Brazili po përjeton epideminë më të rëndë të virusit, i cili është fajësuar për bebet e lindura me mikrocefali, apo koka shumë të vogla,  nga nëna të pickuar nga mushkonjat gjatë shtatzënisë.

Agjenci shëndetësore amerikane, kanadeze e të Bashkimit Europian kanë paralajmëruar gratë shtatzëna të evitojnë udhëtimet në Brazil apo në vende të tjera të Amerikës Jugore, ku janë regjistruar raste të “Zikas”. Kolumbia, Ekuadori, El Salvadori dhe Xhamajka, kanë rekomanduar gratë të vonojnë shtatzënitë deri në një kohë të mëvonshme, pasi të mësohet më shumë për virusin.

Top Channel