Sulmi në Kanada, 17-vjeçari akuzohet për vrasje

24/01/2016 00:00

Një 17-vjeçar u akuzua për vrasje të shkallës së parë, pasi  qëlloi për vdekje 4 persona në perëndim të Kanadasë. I dyshuari, i cili nuk është identifikuar për shkak të moshës së tij, akuzohet gjithashtu edhe për tentativë vrasje.

Ngjarja ndodhi në shkollën komunitare “La Loche” dhe një vendndodhje tjetër në rajonin e Saskatchewan e përpos 4 viktimave pati edhe disa të plagosur.

Në një konferencë për shtyp gjatë së shtunës, një përfaqësues i policisë kanadeze tha se i dyshuari do të dilte përballë gjykatësve javën e ardhshme. Ai u shpreh se ditët dhe javët në vazhdim do të ishin mjaft të vështira, ndërsa ato do të përpiqeshin të kuptonin atë që kishte ndodhur në komunitetin e tyre.

Agresori qëlloi fillimisht për vdekje 17-vjeçaren Dayne Fontain dhe vëllain e saj 13-vjeçar Drayden në një banesë. Më pas, ai shkoi në një shkollë duke vrarë mësuesin Adam Wood, 35 vjeç dhe asistenten 21-vjeçare Marie Janvier, vajza e kryebashkiakut. Disa minuta më vonë, i dyshuari u çarmatos dhe u arrestua. Motivi i krimit mbetet i paqartë.

Dëshmitarë në shkollë thanë se kishin dëgjuar ulërima dhe më shumë se 6 të shtëna.  Sipas autoriteteve, policia ishte njoftuar në 13:00 të orës lokale për një person që po qëllonte me armë zjarri dhe e kishte arrestuar atë 45 minuta më vonë.  Shkolla komunitare “La Loche” numëron rreth 900 nxënës, mes të cilëve edhe fëmijë kopshti.  Kryeministri Justin Trudeau e cilësoi sulmin e së premtes si makthin më të keq të çdo prindi.

Top Channel