Ish-kryeministri i Maqedonisë dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski ka thënë se 24 prilli do jetë dita kur populli do ta rikthejë atë në pushtet dhe do të largojë nga pushteti funksionarët të cilët, sipas tij, janë sjellë me forcë në pushtet.

Duke folur në konferencën vjetore të Unionit të Grave të VMRO-DPMNE-së dhe duke aluduar në drejtuesin e opozitës maqedonase Zoran Zaev, Gruevski ka pohuar se nuk mundet që një kriminel i përgatitur nga jashtë të jetë kryeministër i vendit.

“Pas këtij leksioni të popullit do të kaloj shumë kohë para se ndonjë politikan të tentojë që të vijë në pushtet me mashtrime të mëdha, me bashkëpunime me shërbime të huaja, me bashkëpunime me kriminelë, Çaush, Vanhojtovca, Katica dhe me shitës të mjegullave, të cilët kërkojnë të shantazhojnë biznesmenët në qytetin e tyre”, ka deklaruar Gruevski.

Pas këtyre deklaratave, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i LSDM-së, sipas të cilës, fjalori i Gruevskit dëshmon frikën e tij nga ballafaqimi me veprat kriminale që ka bërë ai dhe familja e tij gjatë këtyre 10 viteve sa kanë qenë në pushtet.

“Nikolla Gruevski edhe vetë e pranoi kur tha: Nuk mundet që krimineli dhe mashtruesi i dëshmuar të jetë kryeministër. Për këtë, Gruevski nuk është kryeministër dhe nuk do të jetë asnjëherë. Kriminelët e dëshmuar si Gruevski përfundojnë në institucione tjera”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Top Channel