Komisioni për reformën zgjedhore, PD letër Metës: Të votohet sa më parë

25/01/2016 13:15

Partia Demorkatike, përmes një letre dërguar kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, ka kërkuar miratimin e menjëhershëm në seancën plenare të datës 28 janar të vendimit për përbërjen e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, që do t’i hapte rrugë vijimit pa vonesa të punës për realizimin e saj.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demorkatike vlerëson se kjo reformë duhet të sigurojë forcimin dhe konsolidimin e procesit zgjedhor dhe po ashtu, ndërtimin e shkallës së besueshmërisë për zgjedhje të lira. Reforma duhet të sigurojë që zgjedhjet të jenë standardi bazë-substancial i zhvillimit të demokracisë, legjitimimit të qeverisjes dhe shtetit modern, duke respektuar plotësisht vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë”, thuhet në letrën e PD.

Partia më e madhe e opozitës vlerëson se, e rëndësishme në këtë rast është që të kemi një ligj lehtësisht të zbatueshëm për votuesit, që u reziston sfidave dhe shndërrohet në një mekanizëm efektiv për të siguruar zgjedhjet e lira dhe demokratike, në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet eKëshillit të Evropës.

“Përmbyllja në një kohë të shpejtë e reformës zgjedhore dhe reflektimi në legjislacionin shqiptar i të gjitha rekomandimeve të OSBE/OHDIR-it apo shqetësimeve madhore të ngritura prej tij në raportet përfundimtare të viteve 2013 dhe 2015 për zgjedhjet në Shqipëri është premisë e domosdoshme për të garantuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta”, vijon letra.

Në të PD kujton se, “rekomandimet e dhëna nga OSBE/OHDIR në raportin për zgjedhjet e vitit 2013, për shkak të mungesës së vullnetit politik të mazhorancës aktuale nuk u adresuan kurrë në legjislacionin shqiptar, duke sjellë në këtë mënyrë deformimin e zgjedhjeve të vitit 2015”.

Top Channel