TAP, Gjiknuri: Përmbyllet shumë shpejt masterplani i gazit në Shqipëri

25/01/2016 13:30

Masterplani i gazit në Shqipëri do të përmbyllet shumë shpejt, bëri të ditur ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, gjatë takimit të komisionit të nivelit teknik mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë për projektin TAP.

“Gazsjellësi është një projekt kyç e strategjik për infrastrukturën e gazit në rajonin tonë. Punimet po shkojnë sipas parashikimeve në të gjitha vendet ku kalon ky projekt. Shumë shpejt do mund të përmbyllim edhe Masterplanin e gazit në Shqipëri, një dokument me shumë rëndësi për të ardhmen e gazifikimit të vendit”, nënvizoi Gjiknuri.

Ai inkurajoi bashkëpunimin mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë për të garantuar mbarëvajtjen e fazës aktuale të ndërtimit të gazsjellësit.

Detyra konkrete e komisionit është që të punojë me investitorin e projektit për të rënë dakord mbi një protokoll që do të nënshkruhet mes palëve. Ky protokoll do të krijojë një strukturë kushtesh të koordinuara dhe të njëtrajtshme, të cilat do t’i zbatohen projektit në tërësi.

Top Channel