Grupi i PS-së, Blushi: Zgjedhje për kryetarin e partisë

25/01/2016 13:45

Mbledhja e grupit parlamentar socialist e kësaj të hëne është shoqëruar me debate mbi zgjedhjet që duhet të kenë në Partinë Socialiste, dhe zërat brenda të majtës për ndryshime në qeveri.

Deputeti socialist Ben Blushi, është shprehur se Partia Socialiste sot është në një moment kritik, kur prej 6 vjetësh, që nga viti 2009, nuk zhvillon zgjedhje për kryetarin e saj.

“Zgjedhje në PS duhet të ketë. PS është në një moment kritik sot. Ekonomia është keq, papunësia është rritur, koalicioni jonë nuk është shumë stabël, është e domosdoshme që partia të ketë mundësi të flasë dhe zgjedhje për kryetarin e partisë. Kryetari i PS është ndoshta i vetmi që ka një mandat 7-vjeçar, dhe po shkon drejt një mandati të përhershëm. Nuk ka mandat të përhershëm. Në çdo parti ka zgjedhje njëherë në katër vjet apo dy vjet. PS është e vetmja pa mandat, organizatat po mblidhen në mënyrë klandestine, ky debat u bë në grup dhe besoj të realizohet shumë shpejt. Një parti që nuk bën zgjedhje ka raport të vështirë për veten dhe ata që ka zgjedhur”, tha Blushi.

Blushi përjashtoi nevojën e zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa tha se në grup është kërkuar të bëhet analizë e qeverisë, çka edhe mund të forconte zërat për ndryshime në qeveri.

“Nuk ka ardhur koha që PS ta japim me koncesion, është herët për ta dhënë me koncesion. Sot pati anëtar të grupit parlamentar që kërkuan të ketë analizë të qeverisë. Siç pati nga ata që kërkuan të ketë kongres, zgjedhje, disiplinë dhe normë statutore. Statuti i PS thotë se zgjedhjet bëhen një herë në 4 vjet. Kemi 7 vjet për kryetar partie”, u shpreh deputeti Blushi.

Top Channel