Llalla: Këshilli i Prokurorëve të ishte sipas modelit kroat

25/01/2016 14:40

Kryeprokurori Adriatik Llalla ka folur për herë të parë për draftin e reformës në drejtësi, duke shprehur rezervat e tij për Këshillin e Prokurorëve. Aktualisht, kreu i organit të akuzës ndodhet në një vizitë në Kroaci, ku dhe mbështet modelin kroat të këtij këshilli.

Në Kroaci, Këshilli i Prokurorisë është institucion i pavarur, i përbërë nga 11 anëtarë, 7 prej të cilëve janë prokurorë. Këshilli drejtohet nga një anëtar nga radhët e prokurorëve. Ndërsa modeli shqiptar për Llallën ka një shumicë të brishtë prokurorësh, për të cilat janë shprehur dhe rezervat nga ana e prokurorisë shqiptare. Në vlerësimin e Prokurorisë, modeli i Këshillit në Kroaci është mëse i përshtatshëm për institucionin shqiptar.

Gjithësesi, ndryshe nga modeli kroat, Prokuroria Antikorrupsion në Shqipëri mendohet të funksionojë si një institucion i pavarur, pa asnjë varësi nga Prokuroria e Përgjithshme. Edhe për këtë organ, kryeprokurori thotë se mund ta luajë mësë miri këtë rol Prokuroria dhe Gjykata për Krime të Rënda. “Këto njësi strukturore janë konsideruar histori suksesi gjatë viteve të fundit në Shqipëri dhe kanë nevojë për struktura të specializuara dhe burime të nevojshme njerëzore për të rritur efikasitetin e tyre në luftën kundër korrupsionit”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme.

Gjatë qëndrimit në Zagreb, Llalla është takuar me homologun e tij kroat, Dinko Cvitan ku kanë diskutuar mbi forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në hetimin penal, duke vënë theksin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik.

Top Channel