Debate në grupin e PS-së, kërkohet analizë e punës së ministrave të akuzuar

25/01/2016 15:05

Mbledhja e parë e grupit parlamentar socialist për 2016 ka nisur me kritika dhe debate. Një burim brenda grupit i tha Top Channel se kreu i grupit Gramoz Ruçi ka tërhequr vëmendjen për pjesëmarrjen e deputetëve në komision dhe seancat plenare duke kërkuar më shumë përkushtim.

Ndërkohë deputetja Arta Dade në diskutimin e saj ka kërkuar një analizë të detajuar të punës së deritanishme nga qeveria.

“Jemi në një moment kur pothuajse të gjithë ministrat janë në fokusin e akuzave të opozitës prandaj e shikoj të udhës që ministrat të vinë përpara nesh e të na thonë se çfarë është përmbushur nga programi ynë qeverisës”, ka thënë Dade.

Ajo ka marrë përgjigje nga Gramoz Ruci i cili ka thënë se “Unë dhe ti zonja Dade jemi nga me të vjetrit në këtë parti dhe një analizë e tillë në bllok e ministrave nuk ka ndodhur ndonjëherë. Megjithatë jemi të hapur për çdo shqetësimin të deputetëve të vijnë ministrat sipas problematikës dhe të japin shpjegime”.

Debate ka patur nga deputeti qarkut të Vlorës Fatmir Toçi, i cili ka shpërthyer në kritika ndaj kolegut Koço Kokëdhima. “Ai është kthyer në beun e jugut duke mos përfillur kolegët, madje nuk i fton në takime të zonës”, ka deklaruar Toçi, duke e fajësuar Kokëdhimën për vonesat në zgjedhjet në Partinë Socialiste për qarkun Gjirokastër-Vlorë.

Përgjigja e Gramoz Rucit ka qënë e prerë. “Nuk është etike të flasim për çështje kur kolegu deputet nuk është mes nesh. Ju në territorin që mbuloni jeni inekzistent në zbatim të vendimit të Asamblesë Kombetare. Ju të gjithë deputetët e qarkut Vlorë, Gjirokastër jeni jashtë linjës. Keni shmangur me apo pa dashje vendimet e Asamblesë. Përgjegjesia për mbajtjen peng të zgjedhjeve në Vlorë dhe Gjirokaster është e juaja, e të gjithë deputetëve të zonës”, ka thënë Ruçi. Ai ka kërkuar me urgjencë nga deputetët e qarkut Gjirokastër-Vlorë të procedojnë me shpejtësi ashtu sic ka lënë detyra Asambleja.

Top Channel