ISIS, video me terroristët e masakrës së Parisit; kërcënohet Cameron

25/01/2016 16:10

Shteti Islamik publikoi një video ku shfaqen sipas tij 9 militantët që morën pjesë në sulmet terroriste te Parisit. Pamjet filmike i tregojnë personat në fjalë duke prerë koka e duke vrarë të burgosur në Irak e Siri.

Autenticiteti i videos ku militantët, të vrarë që të gjithë gjatë masakrës në kryeqytetin francez dhe bastisjet e mëpasshme të policisë, përshkruhen të gjithë si “luanë”, ende nuk është konfirmuar dot në mënyrë të pavarur.

Por ndërsa aty përfshihej dhe një kërcënim për kryeministrin britanik David Cameron, zëdhënësja e tij minimizoi rëndësinë e mesazhit.

“Videoja më e fundit e propagandës së ISIS-it nuk është gjë tjetër veçse një tjetër përpjekje për frikësim e një grupi terrorist që po përjeton qartazi dobësim e terheqje”, ishte komenti i saj.

Mesazhi video përmbante një foto të Cameron, të shoqëruar nga një fjali në anglisht: “Kush qëndron në krah të të pafeve do të jetë në shënjestrën e shpatave tona”.

Britania është pjesë e koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara në bombardimet kundër grupit terrorist. Forcat britanike fillimisht vepronin vetëm në Irak, por muajin e kaluar u përfshinë edhe në sulmet e aleatëve në Siri.

Ndaj videos reagoi dhe shefi i Elizesë, Francois Hollande, i cili tha se ky veprim i ISIS-it nuk ka për ta ndalur rezistencën e Francës ndaj terrorizmit.

“Asgjë nuk do të na zmbrapsë. Asnjë kërcënim nuk do ta bëjë Francën të tërhiqet nga lufta”, tha ai gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në Delhi të Indisë. Hollande shtoi se, sulmet e Parisit ishin përgatitur dhe organizuar në Belgjikë, por planifikimi i tyre ishte bërë në Siri.

Top Channel