Maqedoni, gati themelimi i dy universiteteve të reja në Shkup

25/01/2016 00:00

Brenda një muaji, qeveria e Maqedonisë ka dhënë “dritën jeshile” për themelimin e dy universiteteve në Shkup.

Pas miratimit të ligjit për universitetin “Nënë Tereza”, në procedurë parlamentare ka hyrë edhe projektligji për universitetin e ri “Damjan Gruev”, në kuadër të të cilit do të hapen 8 fakultete nga fusha e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Qëllimi i themelimit të këtij universiteti është t’i qasemi më seriozisht fushës së sigurisë dhe mbrojtjes, si segment shumë i rëndësishëm për funksionimin e çdo shoqërie”, tha Zoran Jolevski, ministër i Mbrojtjes në Maqedoni.

Nisma e pushtetit për themelimin e universitetit të ri nxiti reagimin e opozitës. Deputeti i PDSH-së, Orhan Ibrahimi tha se, projektligji është antikushtetues pasi parashikon, që në universitetin “Damjan Gruev” të mësohet vetëm në gjuhën maqedonase, duke përjashtuar mundësinë e shkollimit të studentëve shqiptarë në gjuhën amtare.

“Ky institucion universitar i ngjason Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, që në thelb është institucion antishqipar. Me lejen e BDI-së, prej këtyre institucioneve do të na dalin efekte mendore, pasi aty përgatiten qytetarët e rinj me mentalitet të vjetër, sipas të cilit Maqedonia është shtet vetëm i maqedonasve dhe jo i qytetarëve të tjerë”, tha Orhan Ibrahimi, deputet i PDSH-së.

Duke prezantuar argumentet e saj kundër themelimit të universitetit të ri në Shkup, deputetja e pavarur, Solza Gërçeva tha se, qëllimi i qeverisë është të punësojë militantët partiakë dhe jo të forcojë arsimin, të cilin e ka shkatërruar në vitet e kaluara.

“Duhet të jemi vendi më i pasur në Europë, meqë brenda një muaji hapim dy universitete. Por, fatkeqësisht, ne jemi një vend i varfër ndaj, para se të hapim universitete të reja duhet të investojmë në forcimin e institucioneve arsimore që kemi”, tha Solza Gërçeva, deputete e pavarur.

Studentët e parë në universitetin “Damjan Gruev” në Shkup pritet të regjistrohen në muajin tetor. Të gjitha fakultetet e këtij universiteti do të mbajnë emrat e figurave historike maqedonase.

Top Channel