Kosovë, VV dhe shoqëria civile kërkojnë ndryshime në 2016-n

25/01/2016 00:00

Gjatë një debati me përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë, të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë, u vlerësua se kriza politike po shkakton edhe bllokimin e zhvillimit institucional, ekonomik dhe social në Kosovë.

Pjesëmarrësit në tryezën “Ndryshimet në Kosovë – tryezë me shoqërinë civile” diskutuan mbi mundësinë e zgjidhjes nga zgjedhjet e parakohshme.

“Nëse presim që njerëzve në Qeveri t’iu vijë turp dhe të largohen, ne do të dëshpërohemi, sepse ata nuk kanë turp. Ata po bëjnë çmos që të mbesin në pushtet. Ideja e zgjedhjeve është pikërisht në funksion dhe ne nuk duhet të presim, ose të mendojmë se, ndoshta dikush prej deputetëve aty do të bëjë të pamundurën që Thaçi të mos zgjidhet President. Janë njerëz, të cilët moralin politik e kanë zero”, tha Imer Mushkolaj, analist dhe gazetar.

Ndërsa analisti Dukagjin Gorani theksoi sesi presin qytetarët një zgjidhje të qëndrueshme nga opozita. Ai shtoi se ndryshimet, të cilat duhet t’i sjellë opozita e bashkuar, janë të nevojshme që prej 100 vitesh. Këto ndryshime, sipas Goranit, duhet të dalin nga zgjedhjet, të cilat ai vlerësoi se duhet të mbahen shpejt.

Por Ismet Kryeziu, nga Instituti Demokratik i Kosovës, vlerësoi se zgjedhjet mund të sjellin një krizë edhe më të thellë, duke theksuar se zgjidhja e vetme është dialogu ndërpartiak.

“Unë konsideroj se zgjedhjet duhet të vinin si pasojë e një dialogu ndërpartiak dhe zgjidhja e kësaj situate mendoj se duhet të jetë përmes dialogut ndërpartiak, i cili vendos disa parime bazë, se ku do të shkojmë më tej. Nuk besoj se ne mund të krijojmë zgjidhje apo ndryshime sipërfaqësore në Kosovë, në qoftë se hyjmë në një proces zgjedhor, i cili mund të rezultojë me tensione ndërshoqërore. Ne kemi pasur procese zgjedhore, ku kemi pasur edhe viktima. Mund të rezultojë me një gjuhë, që mund të na prodhojë pikërisht këto situata, apo mund të rezultojë në një situatë, ku subjekte të caktuara politike nuk do t’i pranonin rezultatet. Kjo gjë hap rrugën për cikël krizash politike të vazhdueshme”, tha Ismet Kryeziu, KDI.

“Një moment i rëndësishëm i demokracisë është që ne, si shoqëri, duhet njëherë e përgjithmonë të vendosim një standard. Standardi është që njerëzit, kushdo qofshin ata, që në krye të qeverisë ndërmarrin të tilla vendime ose nënshkruajnë të tilla marrëveshje, që rrezikojnë rendin kushtetues, nuk mund të vazhdojnë të qëndrojnë në institucione pa dhënë kurrfarë llogarie,duke pretenduar se asgjë nuk ka ndodhur”, tha Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Kërkesën e tij për largimin e Qeverisë, Ymeri e mbështeti edhe në premtimin elektoral për hapjen e 200 mijë vendeve të reja pune, por që – sipas tij, – ky prioritet i qeverisë “Mustafa” ndryshoi, pasi tashmë është zëvendësuar nga dialogu me Serbinë.

Top Channel