Një vit më pas, Syriza ka shitur “shpirtin” për “pushtetin”

25/01/2016 00:00

“Qiriu i tortës së përvjetorit të parë të pushtetit të partisë ‘Syriza’ në Greqi ngjan me dinamitin”, është titulli kuptimplotë i gazetës “Liberation”, që përshkruan me një fjali të vetme gjendjen në të cilën ndodhet Greqia, një vit pas ardhjes në pushtet të radikalëve të majtë. Kemi ende beteja për të luftuar, ka deklaruar kryeministri Tsipras në fjalimin e mbajtur me këtë rast.

“Sot, një vit pasi ne u zgjodhëm për herë të parë, ardhje historike në pushtet, dhe disa muaj pas rizgjedhjes sonë, betejat nuk kanë mbaruar, por qëndrojnë ende para nesh”, tha kryeministri grek, Alexis Tsipras.

“Syriza” erdhi në fuqi me premtimin se do t’i jepte fund 5 viteve të dhimbshme nga masat shtrënguese të imponuara nga BE dhe FMN. Por, 6 muaj më vonë, pas negociatash të shumta, të majtët u gjunjëzuan nga presioni i huadhënësve dhe mbyllja e bankave për mungesë kapitalesh.

Megjithëse mori mbi 62% të votave në një referendum popullor për t’u thënë “Jo” masave të ashpra, Tsipras ka pranuar të realizojë një kthesë politike dhe të firmosë një memorandum të tretë të ndihmës prej 86 miliardë eurosh, që të shmangte më shumë se kurdoherë rrezikun e daljes së Greqisë nga Eurozona.

Pranoi më shumë reduktime të shpenzimeve buxhetore dhe pensioneve, rritje taksash dhe reforma ekonomike, e kjo solli një çarje të thellë me platformën marksiste të partisë së tij, e cila u nda dhe krijoi një forcë të re politike. Grekët i dhanë përsëri votën kreut 40-vjeçar shtatorin e kaluar, por me një shumicë delikate në Parlament.

“Megjithatë, shenja historike e mandatit tonë të trefishtë nuk mund të fshihet dhe as të injorohet. Europa sot, një vit më pas, nuk është e njëjtë pas eksperiencës së vështirë të negociatave greke”, tha kryeministri grek, Alexis Tsipras.

Dita e përvjetorit e gjen Tsiprasin dhe partinë që ai udhëheq, përballë qindra e mijëra fermerëve, që kanë dalë në rrugët nacionale të vendit me traktorët e tyre, duke protestuar kundër reformës së pensioneve dhe sistemit të taksave që përpiqet të votojë qeveria, si kusht nga huadhënësit për vazhdimësinë e ndihmës financiare. E gjen gjithashtu përballë mijëra juristëve, mjekëve dhe nëpunësve të sektorëve të shkencave, që vazhdojnë protestat e tyre. E gjen edhe përballë sindikatave të sektorit shtetëror dhe atij privat, që kanë shpallur javën që vjen një grevë të përgjithshme, e treta brenda vetëm dy muajve.

Sipas analistëve, tashmë janë të paktë ata që besojnë se Tsipras do të mund të gjejë formulën e artë për të kënaqur huadhënësit dhe për të mos zhgënjyer përsëri, siç edhe politikanët e tjerë në vitet e kaluara, grekët, që kanë kaluar tashmë 5 palë zgjedhjesh të përgjithshme në 6 vitet e fundit dhe ende ndodhen në krizë të rëndë ekonomike.

Top Channel