Një akt dashurie nga nxënës të kryeqytetit

25/01/2016 00:00

Kur të rinjtë bëhen bashkë, asgjë nuk është e pamundur. Me dëshirën për të ndihmuar njerëzit në nevojë, disa nxënës të një shkolle 9-vjeçare në kryeqytet realizuan më 21 janar një shfaqje artistike me performanca të ndryshme nga tradita.

Veprimtaria u  zhvillua në ditën ndërkombëtare të gjyshërve, si për të treguar se, kjo moshë nuk duhet harruar kurrë. Pjesëmarrja në shfaqje bëhej me një biletë, që kushtonte 20 lekë.

Më pas, me të ardhurat, nxënësit blenë batanije dhe veshje të nevojshme, gjëra që u duheshin më tepër moshës së tretë. Ata shkuan në Shtëpinë e të Moshuarve të Tiranës në emër të të gjithë grupit, për të dorëzuar ndihmat.

Edhe pse janë të ndërgjegjshëm se këto parà nuk janë ndonjë shifër e madhe për të përmbushur të gjitha nevojat, disa lehtësira u bëjnë punë. Ata u pritën nga drejtoresha e Azilit, së bashku me personelin, të cilët shprehën admirim për gjestin human ndaj një kategorie, që ka aq shumë nevojë për vëmendje në këtë fazë të jetës.

Për të moshuarit që nuk vinin dot më 21 janar, disa numra të shfaqjes janë bërë më vonë, duke u dhuruar atyre një ditë ndryshe. Veprimi të bën të besosh se, paçka mundësive, të gjithë mund të bëjnë diçka të vogël për të ndryshuar gjërat që nuk na pëlqejnë.

Këta nxënës e dhanë shembullin e parë.

Top Channel