Balla: Kongresi i PS-së mbahet më 19 mars

25/01/2016 19:50

Kongresi i socialistëve do të mbahet më 19 mars. Data është përcaktuar në mbledhjen e koordinatorëve të qarqeve të partisë më të madhe në vend. Taulant Balla deklaroi pas mbledhjes se, tashmë është kryer procesi i zgjedhjeve për drejtuesit e strukturave në 90% të të gjithë territorit të vendit.

“Brenda muajit shkurt, siç është edhe statuti i Partisë Socialiste, mbyllet procesi i zgjedhjes së delegatëve, mbyllet edhe procesi i zgjedhjes së kryetarëve të PS-së dhe jemi gati që të zhvillojmë edhe Kongresin”, tha nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Balla sqaroi arsyet e shtyrjes së kongresit, përcaktuar nga Asambleja Kombëtare të mbahej në fund të janarit, çfarë është shoqëruar me jo pak debate të brendshme. Sekretari i Asamblesë Kombëtare, Balla tha se nuk ka pasur asnjë shkelje të vendimit të asamblesë, pasi vendimi i saj ka qenë që kongresi të mbahej në fund të proceseve të ristrukturimit të organizatave.

Përveç procesit të thellë ristrukturues që ka kërkuar më shumë kohë, Balla dha si argument të shtyrjes së kongresit edhe procesin e anëtarësimeve të reja në PS, që ai i quajti të një fluksi spektakolar.

“Nuk është shkelur vendimi i Asamblesë Kombëtare, sepse vendimi i saj përcakton qartë që, përmbyllja e procesit piramidal të zgjedhjeve në parti bëhet duke filluar nga organizatat, delegatët dhe në fund Kongresi. Ky është një proces i natyrshëm”, tha Balla.

Taulant Balla e cilësoi një vendim të Asamblesë Kombëtare mungesën e zgjedhjeve për kryetar të PS-së.

Mbledhja e koordinatorëve dhe vendimi për datën e kongresit u parapri nga mbledhja e grupit parlamentar socialist, që pati jo pak debate. Brenda grupit u mësua se, deputetja Arta Dade kërkoi një analizë të detajuar të punës së ministrave, veçanërisht të të akuzuarve nga opozita.

Ndërsa deputeti Fatmir Toçi mësohet se ka shpërthyer në kritika ndaj kolegut Koço Kokëdhima, të cilin e ka cilësuar si “beun e Jugut”, duke e fajësuar jo vetëm për mungesë bashkëpunimi, por edhe për vonesën e zgjedhjeve në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër.

Ndërsa këto debate ishin me dyer të mbyllura, Ben Blushi ishte ai që foli sërish publikisht për nevojën e zgjedhjeve brenda PS-së.

“Ka ardhur koha të ketë zgjedhje në PS dhe duhet të ketë zgjedhje. PS është në një moment kritik sot. Ekonomia është keq, papunësia është rritur, koalicioni ynë nuk është shumë i qëndrueshëm. Reforma në drejtësi nuk po merr drejtimin e duhur akoma. Është e domosdoshme që partia të ketë mundësi të flasë”, tha Blushi.

Blushi përjashtoi nevojën e zgjedhjeve të parakohshme, por theksin e vuri te detyrimi statutor për zgjedhjen e kryetarit të PS-së.

“Padyshim të ketë zgjedhje për kryetarin e partisë. Kryetari i PS-së është ndoshta i vetmi që ka një mandat 7-vjeçar dhe po shkon drejt një mandati të përhershëm. Nuk ka mandat të përhershëm. Edhe Angela Merkel është zgjedhur në partinë e vet para disa muajsh. Në çdo parti ka zgjedhje një herë në 2 apo 4 vite. Ka një mandat të kufizuar sepse zgjedhjet i fiton partia dhe partia të vë ose të heq mandatin, të mban në detyrë apo jo”, deklaroi Blushi.

Top Channel