Vetëm përmes hamendësimit mund të përpiqemi të gjejmë drejtimin për në destinacionin tonë. I shkojmë pas aksit me të shkelur, fundja në Shqipëri rrugët që të çojnë drejt monumenteve historike kalohen jo pak nga makinat, edhe pse ato nuk janë ato të arkeologëve apo ekspertëve të fushës.

“Ky vend bart mbi shpinë legjenda të shumta duke nisur që prej emrit, që e bën edhe më të mistershëm, ‘Hija e korbit’, ku ngrihet edhe një kala e rëndësishme ilire, e cila sot është lënë tërësisht mënjanë”.

Gjeografikisht ndodhemi rreth 2 kilometra në Jug të Maliqit, mbi shpinën e fshatit Klocë. Sipas dokumentacionit zyrtar, kjo qendër antike shtrihet në rreth 18 hektarë, diku 1250 metra mbi nivelin e detit. Ajo që të bën përshtypje është mungesa e shenjave të qarta të ekzistencës së saj. Duhet një sy shumë i vëmendshëm për të dalluar mbetjet e pakta, që ose janë zhdukur nga erozioni, ose qëndrojnë ende të fshehura në tokë.

Sipas datimit që i kanë bërë arkeologët, ky vend arkeologjik i ka fillesat në periudhën Arkaike deri në Antikitetin e vonë. Pjesa që përfshihet nga shekulli i V-të para Krishtit deri në atë të VI pas tij, treguesit i ka dhënë të qartë, edhe pse sot pak gjë duket. Në fakt, gërmimet këtu gjithmonë kanë qenë të pakta, e kjo ndoshta ka bërë që historia e këtij vendi shpesh të jetë e paqartë.

“Thesari i gjetur këtu, në këtë vend arkeologjik në fillimvitet ’80, tregon për zhvillim e madh që ai ka pasur. Ka studiues e arkeologë, që mendojnë se dikur këtu ngrihej Pelioni, i cili konsiderohet si qendër e rezistencës mbretërore të shtetit të parë ilir”.

Për Pelionin ka disa teza. Njëra prej tyre është ajo e mbështetur nga arkeologu Neritan Ceka, që e vendos këtë qendër antike në Selcën e Poshtme, ku gjenden edhe një grup varresh mbretërore ilire. Arkeologu anglez, Nicolas Hammond e identifikonte në zonën e fshatit Tren, jo larg Bilishtit, ndërsa një pjesë tjetër, mes tyre edhe arkeologia e njohur Shpresa Gjongecaj, që ka pasur mundësinë edhe të studiojë thesarin e gjetur në këtë vend, mbështet tezën se Pelioni është Kalaja e Klocës, apo e ‘Hijes së korbit’ siç njihet ndryshe. Kjo përbën një nga enigmat më të mëdha, që ende nuk ka marrë një përgjigje. Ku ishte Pelioni, kjo qendër e madhe ilire në tokën e Dasaretëve. Kërkimet kanë nisur që në vitet ’60, por vështirë se mund të thuhet se dikush vazhdon ende të kërkojë. Mjafton të kujtosh se në ç’gjendje janë sot të 3 këto vende arkeologjike, ku mendohet se ngrihej Pelioni i Dasaretisë së lashtë.

“Duket sikur këta gurë, që sot qëndrojnë sikur të mos kenë asnjë vlerë, duan të flasin, të tregojnë historinë e tyre, e atë që fshehin e që askush, për fat të keq, nuk po përpiqet ta zbulojë në mënyrë zyrtare e serioze”.

Por, pse ky vend identifikohet si “Hija e korbit”? Ç’lidhje ka ky emërtim me këtë qendër të lashtë? Askush nuk di të japë një përgjigje zyrtare. Sipas historive të bartura brez pas brezi nga banorët, zona ka qenë e pyllëzuar dhe, në pjesën më të thepisur të saj kishte edhe shumë korba, ndaj edhe emri iu vu i tillë. Kjo mbetet në trajtën e legjendave, që në çdo rast i japin një frymë edhe më mistike këtij vendi, ilirët e “Hijes së korbit”…

Ka edhe një tezë tjetër shkencore, që arkeologu Neritan Ceka e thekson në librin “Ilirët”. Sipas tij, “Hija e korbit” është qyteti i lashtë i Koragut, që emrin e mori nga njëri prej gjeneralëve të Aleksandrit të Madh. Fakt është se, e gjithë kjo zonë lidhet me rrënjë të lashta, që fillojnë në Maliq, e që hasen kudo në Juglindje të vendit, me një përqëndrim të theksuar në pellgun e Korçës, siç theksojnë edhe arkeologët e mirënjohur Frano Prendi e Myzafer Korkuti.

“Kalaja u ka mbijetuar shekujve, u ka mbijetuar betejave, ndryshimeve të shumta historike, duke sjellë sot, edhe pse me vështirësi, këto rrënoja, që kërkojnë të flasin për të shkuarën ilire në këtë vend. E megjithatë duket se ajo nuk po arrin dot të përballojë ushtrinë e pafundme të abuzuesve, të cilët kanë lënë gjurmë kudo në trupin e saj”.

Dëmtimet janë të dhunshme në çdo anë të këtij vendi. Është e vështirë të gjesh qoftë edhe një cep, që të mos ketë rënë prè e kërkuesve ilegalë. Grumbujt e gurëve të hedhur kuturu flasin për mure të dikurshme, që sot janë shkërmoqur nga kërkimet e shumta. E të mendosh se, në letra, flasim për një monument kulture të kategorisë së parë, i shpallur i tillë që në vitin 1963.

“Për të kuptuar nivelin e gërmimeve të kryera nga abuzuesit në këtë vend, mjafton të shohësh një gropë, ku sigurisht nuk është punuar as me kazma e as me lopata. Këto gropa gjigante janë hapur me ekskavatorë, çfarë tregon një dëm të jashtëzakonshëm të kryer në këtë vend arkeologjik. E mbi të gjitha tregon se askush nuk e ruan, e këta abuzues kanë punuar e punojnë të qetë çdo ditë”.

Thuajse të gjithë banorët kanë mundur të gjejnë jo thjesht qeramika të ndryshme, por edhe elementë të tjerë arkeologjikë. Dikur ato mund t’i prekje kudo, sot gjithçka është rrëmbyer e po rrëmbehet nga grupe personash ilegalë, që nuk kanë të bëjnë me njerëzit e thjeshtë. Nëse nuk ke informacion, nëse nuk je një njohës apo hulumtues i fushës vështirë se do kuptosh diçka në këtë vend. Asgjë s’ka lidhje me një qendër me vlerë të tillë historike. Ruajtje jo, tabela orientuese jo, mirëmbajtje, gërmime zyrtare, asgjë që do të të tregonte se ky është një vend arkeologjik e jo një fushë e rëndomtë majë një mali.

Ajo që duket më e sigurta është se, në pak kohë, me këtë ritëm gjithçka do të zhduket e brezat e mëpasshëm, që ndoshta do të kenë më shumë dëshirë e vëmendje për trashëgiminë, nuk do të gjejnë më asgjë…

Top Channel