Rouhani, tur vizitash në Romë e Paris. Priten marrëveshje kolosale

25/01/2016 00:00

Presidenti iranian, Hassan Rouhani vizitoi Italinë këtë të hënë, në atë që shënon pikën e parë të ndalesës së udhëtimit të parë zyrtar në Europë, me synimin për të nënshkruar kontrata disa miliardë dollarëshe për të ndihmuar në modernizimin e ekonomisë së Iranit, pas vitesh të tëra nën regjimin e sanksioneve të rënda financiare nga OKB, SHBA dhe BE.

Si kryesues i një delegacioni prej 120 përfaqësuesish të biznesit dhe disa ministrave, Rouhani do të qëndrojë për dy ditë në Romë, përpara se të udhëtojë më pas në Francë gjatë së mërkurës, me shpresën për të rritur besueshmërinë ndërkombëtare të Teheranit në një kohë trazirash në Lindjen e Mesme.

E pavarësisht se diplomacia do të jetë çështja kyçe në axhendën e tij, marrëdhëniet tregtare pritet të dominojnë titujt kryesore, pasi Irani ka shpallur planet për të blerë më shumë se 160 avionë të prodhimit europian, shumica nga “Airbus”, që përpara nisjes së Rouhanit.

Zyrtarë në Romë thanë se firmat italiane pritet të nënshkruajnë marrëveshje me vlerë prej 17 miliardë euro përgjatë dy ditëve të ardhshme, përfshi këtu ato në sektorët e energjetikës, infrastrukturës dhe të çelikut. Marrëveshjet priten t’i japin një ndihmë kryeministrit Matteo Renzi, i cili ka hasur jo pak probleme në rigjallërimin e ekonomisë larg pritshmërive të Italisë.

Rouhani, një president pragmatist i zgjedhur në vitin 2013, lavdëroi marrëveshjen e arritur me fuqitë botërore gjatë vitit të kaluar, mbi bazën e së cilës Irani kufizoi programin e tij të debatueshëm bërthamor në këmbim të dhënies fund të sanksioneve të vendosura prej OKB, SHBA dhe BE, më herët gjatë këtij muaji.

Megjithatë, disa sanksione të tjera nga Shtetet e Bashkuara mbeten në fuqi, ndaj dhe disa kompani perëndimore, përfshi këtu bankat, pritet të tregojnë një qasje tepër të kujdesshme në arritjen e marrëveshjeve me Iranin, në mënyrë që të shmangin përplasjet me Uashingtonin.

Gjatë vizitës së tij në Itali, presidenti Rouhani do të takohet me kryeministrin Renzi, Papa Françeskun dhe udhëheqës të tjerë lokalë të biznesit. Ai pritet të takohet më pas me Presidentin Francois Hollande, në Paris, gjatë së enjtes. Vizitat e Rouhanit në Itali dhe Francë ishin parashikuar për në nëntor, por u anuluan për shkak të sulmeve të Shtetit Islamik në Paris, ku mbetën të vdekur 130 persona.

Top Channel