Stabiliteti Financiar: Kujdes portalet seksere online

26/01/2016 14:15

Grupi Këshillimor i Stabilitetit Financiar, trupa më e lartë përgjegjëse për qëndrueshmërinë financiare të vendit, i bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes me portalet e tregtimit online, të njohura ndryshe si kompani ndërmjetësuese që i japin mundësi qytetarëve të investojnë në bursa.

Në mbledhjen e radhës të zhvilluar tre ditë më parë grupi, i cili përbëhet nga ministri i Financave, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, kryetari i bordit të AMF dhe drejtori i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, vëren se këto investime janë me rrezik të konsiderueshëm.

Ndaj përmes një deklarate zyrtare ky organ fton qytetarët t’u drejtohen vetëm subjekteve të liçencuara për këtë aktivitet dhe vetëm kur kanë informacion të plotë dhe njohurive financiare të nevojshme për rreziqet që kanë këto investime.

Sipas deklaratës zyrtare të grupit, subjektet e liçencuara dhe të rregulluara kontrollohen nga autoritetet mbikëqyrëse për të verifikuar sesi i vënë në dijeni paraprakisht investitorët për rreziqet që shoqërojnë investimet në bursa.

Po kështu, liçencimi dhe kontrolli i këtyre portaleve kufizon madhësinë e humbjeve të mundshme dhe ofron transparencë të plotë për shpjegimin e tyre në rast ndodhjeje.

Nga ana tjetër, një veprimtari e paliçencuar dhe e pambikëqyrur i ekspozon investitorët ndaj kostove të fshehura dhe detyrimeve të tjera, të cilat, në mungesë të transparencës së nevojshme nga ana e subjektit ndërmjetësues, mund të jenë të mëdha.

Ndaj grupi i stabilitetit financiar i bën thirje qytetarëve që para se të investojnë në këto instrumenta, të konsultojnë në vazhdimësi listën e subjekteve të liçencuara nga autoriteti i mbikëqyrjes financiare.

Nga ana tjetër, ky organ nxit institucionet që qeverisin dhe mbikëqyrin tregun financiar të forcojnë bashkëpunimin bashkëpunimin ndërinstitucional mes tyre dhe me autoritete të tjera relevante të vendit e të huaja, për shkëmbimin e informacionit dhe ndërmarrjen e veprimeve që përmirësojnë kuadrin ligjor dhe zbatimin e tij.

Portalet e tregtimit online, të cilat ndërmjetësojnë investimin e qytetarëve në bursa janë një fenomen relativisht i ri në Shqipëri. Shpesh disa prej tyre funksionojnë edhe të paliçencuara, çka duket se ka krijuar shqetësimin e autoriteteve, të cilat kërkojnë vëmendjen e qytetarëve për të mos u joshur nga këto subjekte.

Top Channel