Lu: Në zgjedhje pamë gangsterë që ndikuan tek vota e qytetarëve

26/01/2016 00:00

Pjesë tryezës së vëzhguesve vendorë për reformën zgjedhore ishte edhe ambasadori amerikan. Si gjithmonë i drejtpërdrejtë në deklarimet e tij, ai tha se në zgjedhjet e fundit “ne pamë grupe gangsterësh që kishin ndikim në votën e popullit dhe se Shtetet e Bashkuara presin një reformë zgjedhore që të garantojë një proces të drejtë dhe të barabartë elektoral.

“Disa ambasadorë të BE-së dhe unë pamë grupe gangsterësh të rinj në moshë jashtë qendrave të votimit, që dukshëm donin të frikësonin votuesit. Shumë njerëz na dhanë prova të blerjes së votës dhe të votimit në grup. Sikurse e dimë, disa prej kandidatëve kishin të shkuar të turpshme kriminale. Abuzimet zgjedhore janë një tradhti ndaj demokracisë shqiptare. këto probleme u vërejtën gjithashtu edhe në vlerësimet e ODIHR-it, që lavdëroi punën e mijëra punonjësve që në ditën e votimit punuan me nder. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht reformën që mbështete tek rekomandimet e ODIHR dhe i bën thirrje Kuvendit që t’i zbatojnë ato këtë vit”, deklaroi ambasadori Lu.

Ai vuri theksin edhe në transparencën e financave partiake, ku përmendi hapin e ndërmarrë nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

“Partitë politike kanë nevojë të marrin seriozisht deyrimin për të siguruar financat transparente partiake. Kemi parë një parti që ka bërë të ditur planin për transparencë të financave të saj. Nxisim të gjitha partitë politike të prezantojnë auditin e financave të partive dhe fushatave të tyre dhe t’i bëjnë publike deklaratat e pasurive të të gjithë kandidatëve”, theksoi z. Lu.

Ai kërkoi nga liderët politikë që të mos vendosin në listat zgjedhore emrat e personave të korruptuar apo inkriminuar, duke e quajtur mjaft të rëndësishëm edhe zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.

“Udhëheqësit duhet të bëjnë më shumë për të larguar politikanët e korruptar dhe me lidhje kriminale dhe mos t’i vendosin fare emrat e tyre në fletën e votimit. Miratimi i ligjit të dekriminalizimit ishte hapi i parë i rëndësishëm, dhe është po aq i rëndësishëm zbatimi i plotë i tij. Votuesit kanë nevojë që të marrin përgjegjësi për të mos pranuar para për votën e tyre dhe për të mos votuar kriminelë”, tha Lu.

Ai mbylli fjalimin e tij me shprehjen: “Shqiptarëve dhe amerikanëve u pëlqen të ankohen për politikanët e tyre. Ne mund të ankohemi sa të duam po nga një demokraci ne jemi përgjegjës  për politikanët që zgjidhen”.

Top Channel