Maqedoni, Janeva duhet të japë llogari përpara Këshillit të Prokurorëve

26/01/2016 00:00

Prokurorja speciale, Katica Janeva duhet të japë sqarime para Këshillit të Prokurorëve Publikë në Maqedoni, për procedurën e ndjekur gjatë pranim-dorëzimit të bisedave të përgjuara telefonike nga kreu i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, më 30 dhjetor të vitit të kaluar.

Kryetari i Këshillit të prokurorëve, Petar Anevski pret të informohet hollësisht nga Janeva, në një afat sa më të shkurtër, për procedurën e pranimit dhe numrin e materialeve të përgjuara që ka pranuar.

“Ne jemi kompetentë për të kërkuar nga ajo informacione të tilla. Zërat se do të hapim ndonjë procedurë kundër saj nuk janë të saktë. Fillimisht ne kërkojmë të dimë sa materiale ka pranuar dhe a ka bërë proces verbal për një gjë të tillë, sepse sipas procedurës penale, kur të vijë momenti i shkatërrimit të materialeve, ne duhet të dimë nëse janë shkatërruar apo jo të gjitha materialet”, tha Petar Anevski, kryetari i Këshillit të prokurorëve në Maqedoni.

Janeva duhet të japë gjithashtu sqarime edhe për largimin e dy prokurorëve, Lejla Kadriu dhe Marija Gjorevska, nga ekipi i saj.

“Dje, përmes një njoftimi me shkrim, Prokuroria Speciale na ka njoftuar se prokurort kanë kërkuar vet të largohen, pasi është konstatuar se është zvogëluar vëllimi i punës në këtë institucion. Sipas meje, këto arsyetime të Prokurorisë Speciale nuk qëndrojnë”, tha më tej Petar Anevski.

Prokurorja speciale Katica Janeva, e cila duhet të hetojë skandalin e përgjimeve, kërkoi të hënën nga policia që t’i caktojë sigurim personal, pasi ndihet e kërcënuar. Shkak për pasigurinë e saj është bërë fjalimi i kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski, i cili e krahasoi prokuroren me disa “kriminelë dhe falsifikues”, që – sipas tij, – dëshirojnë të vijnë në pushtet përmes mashtrimeve.

Top Channel