Presidenti i Kosovës, Veseli: Do të zgjidhet në shkurt. Thaçi, e vetmja kandidaturë

26/01/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli beson se kreu i PDK-së, Hashim Thaçi do të zgjidhet president gjatë muajit shkurt, ndërsa ka ftuar opozitën që të respektojë verdiktin e institucioneve të zgjedhura dhe t’i kthehet dialogut.

“Unë nuk besoj që do të ketë komplikime. Jam shumë optimist se, në muajin shkurt do të kemi një komunikim edhe më intensiv mes pozitës dhe opozitës. Në të njëjtën kohë do të kemi respektim të verdiktit zgjedhor dhe respektim të institucioneve të zgjedhura, ndaj dhe do të realizojmë edhe zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës së Kosovës. Natyrshëm, deri më tani ne e dimë se kemi vetëm një kandidaturë, që është ajo e zotit Hashim Thaçi, të shohim për ndonjë tjetër. Partia Demokratike e Kosovës është në përkrahje të fuqishme të kandidaturës së zotit Thaçi”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Kreu i legjislativit kosovar u shpreh optimist se, gjatë muajit shkurt do të nisë dialogu mes pozitës dhe opozitës, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e ndihmës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe miqve të tjerë ndërkombëtarë në këtë proces.

Për axhendën parlamentare të muajit shkurt dhe për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, të martën në Kuvendin e Kosovës kanë diskutuar edhe deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, gjatë një takimi me kryetarin e tyre Hashim Thaçi, i cili sipas marrëveshjes së koalicionit pritet të votohet President për një mandat 5-vjeçar.

Këtë takim e ka konfirmuar vet kreu i PDK-së, Thaçi, i cili përmes një postimi në Facebook tha se e ka informuar grupin parlamentar për situatën më të re politike në vend, për axhendën e re parlamentare, për zbatimin e programit legjislativ në Kuvendin e Kosovës, si dhe për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Top Channel