SHBA, stuhisë dimërore po i vjen fundi, problemet vazhdojnë

26/01/2016 00:00

Meteorologët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se stuhisë gjigande dimërore që përfshiu vendin, tashmë po i vjen fundi.

Megjithatë, ata nuk përjashtojnë faktin se rrymat e të ftohtit ekstrem do të vijojnë dhe këto ditë, ndonëse jo me të njëjtin intensitet.
   
Teksa temperaturat e acarta paralizuan fundjavën e shkuar, njerëzit tani kanë filluar të largojnë shtresat e dëborës që kanë bllokuar automjetet e tyre, ndërkohë që autoritetet kanë nisur operacione të gjëra për zhbllokimin e rrugëve.

Në Uashington trashësia e dëborës ka arritur deri në 45 centimetra, sërish duke thyer rekordin e gjithë këtyre viteve të fundit.

Në këto kushte, në SHBA transporti publik vijon të ketë probleme, shkollat dhe zyrat qeveritare, si dhe shumë biznese janë mbyllur. Rreth 80 milionë njerëz në 20 shtete janë bllokuar për shkak të kushteve të rënda, të cilat pritet të zgjasin deri ditën e diel.

Top Channel