Debati për koncesionet, Rama këmbëngulës: Partneriteti me biznesin do të vazhdojë

26/01/2016 17:35

Kryeministri shfrytëzoi mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar për të dhënë një sqarim rreth 30 minutësh për çështjen e shumëdebatuar të partneritetit publik-privat. Edi Rama përdori shifrat për të kundërshtuar kritikët, ku u kujdes të sqaronte se mes tyre nuk është vetëm opozita.

“Nga viti 2005 në 2013-n janë dhënë 173 koncesione, ndërkohë që sot, në këtë përfolje të madhe mbi atdheun që po jepet me koncesion, janë bërë vetëm 14 kontrata partneriteti publik-privat”, u shpreh kryeministri Rama.

Por Rama u ndal më gjatë në kundërshtimin e atij që quajti “spekulimi me kontratën e ‘check up’- it”.

“Nuk është 120 milionë, por 64 milionë dollarë për 10 vite”, deklaroi Rama.

Një kundërshtim, shefi i qeverisë e pati edhe për debatin më të fundit, atë për mbledhjen e TVSH-së.

“Dëgjoj që thonë sesi mund t’i lihet privatëve… E dini ju që të gjithë bazën e të dhënave të tatimorëve të Shqipërisë e kanë austriakët? Austriakët e kontraktuar nga qeveria shqiptare e mëparshme për të bërë programin kompjuterik të menaxhimit të riskut, që mbledh të gjitha të dhënat? Atëherë, ku është problemi?”, pyeti Rama.

Pavarësisht kundërshtimeve dhe kritikave, Edi Rama tha se kjo qeveri nuk tërhiqet nga filozofia e partneritetit publik-privat.

“Dua t’i siguroj të gjithë sipërmarrësit se ne jo vetëm nuk tërhiqemi nga këto lloj sulmesh barbare balte, por përkundrazi do të vazhdojmë vendosmërisht që të ftojmë partnerë privatë për të ndërtuar shkolla, infrastrukturë sociale, rrugë, si dhe për të bërë shërbime të tjera”, tha kryeministri Rama.

Top Channel