Gjykata Kushtetuese lë në fuqi pezullimin e ligjit të gjobave

26/01/2016 00:00

Gjykata Kushtetuese rrëzoi Ministrinë e Financave duke lënë në fuqi pezullimin e ligjit për procedurat tatimore, të njohur si ligji i gjobave, deri në një vendim përfundimtar të saj. 

Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut ankimoi ligjin në muajin dhjetor, duke kërkuar shfuqizimin e neneve që ashpërsojnë deri në ekstrem masat ndëshkuese për shkeljet tatimore, përtej parimeve të proporcionalitetit.

Në seancën e sotme gjykata dëgjoi pretendimet e biznesit, ndërsa shqyrtoi edhe kërkesën e Ministrisë së Financave për të revokuar pezullimin e ligjit.

Në emër të Ministrisë së Financave foli Arjana Dyrmishi: “Për të gjitha shkeljet kryesore të evidentuara në verifikimet në terren është vënë një masë kryesore standard që është 500 mijë lekë, si në rastet e mosdeklarimit të adresës, si të punonjësit, mosdeklarimit të pagës reale. Më parë kanë qenë të diferencuara nga lloji i shkeljes dhe nga natyra e tatimpaguesit”.

Argumentimit të Ministrisë iu referua anëtari i gjykatës, Vladimir Kristo: “Kjo është arritje sipas jush? Pikërisht këtu qëndron parimi i proporcionalitetit. E dini që ka një vendim të gjykatës që i konsideron antikushtetues dënimet fikse?”

Kreu i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregut dhe Tregtarëve e lexon pozitivisht lënien në fuqi të pezullimit të ligjit, ndërsa deklaron se të premten do të ankimojë edhe Kodin Penal, ku parashikohet dënimi me burg për shkelësit e ligjit: “Shpresoj tek Gjykata Kushtetuese që pas një muaji do të anulojë nenet që penalizojnë shumë qartë të gjitha bizneset, cënojnë lirinë e tregut dhe do të sillte një mbyllje të bizneseve”.

Top Channel