SHBA, të shtëna në Qendrën Mjekësore të Marinës në San Diego

26/01/2016 00:00

Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar në Qendrën Mjekësore Detare në San Diego të Shteteve të Bashkuara, një ngjarje që sipas zëdhënësit të qendrës, Mike Alvarez, po konsiderohet si një “situatë ende aktive”.

Tri të shtëna janë dërgjuar në ndërtesën me numër 25 të qendrës në fjalë të Marinës, rreth orës 8 të mëngjesit me orën lokale të kësaj të marte. Institucioni në fjalë, përmes faqes zyrtare në Facebook bën të ditur se “të gjithë të pranishmit janë të këshilluar të largohen ku të munden, të fshihen ose të kundërpërgjigjen. Ndërkohë i gjithë personeli kërkohet që të qëndrojë larg ndërtesës”.

Në faqen zyrtare të internetit, Qendra Mjekësore Detare e San Diegos e konsideron vetveten si “sistemi më i madh dhe më gjithëpërfshirës ushtarak në Perëndim të Shteteve të Bashkuara”. Në të ndodhen 8 klinika për personelin në detyrë dhe 9 vendndodhje të kujdesit primar për familjarët e tyre.

Ndërtesa në fjalë ka pasur mbi 1,2 milionë pacientë të jashtëm në vitin 2014, ndërkohë që në të janë shtruar mbi 19 mijë pacientë përpara dy vitesh. Spitali ofron një set të plotë të shërbimeve mjekësore, përfshi këtu edhe lindjet.

Pamjet filmike të ofruara nga rrjeti amerikan CNN tregojnë njerëz që largohen të qetë nga zona e të shtënave. Ambientet e kujdesit të fëmijëve në këtë qendër mjekësore “janë aktualisht të sigurta. Të gjithë fëmijët janë të sigurtë, ashtu sikurse i gjithë kompleksi”, u tha në një njoftim të dytë në Facebook rreth orës 9 të mëngjesit.

Ndërkohë në ambientet përreth u mbyllën dy shkolla fillore dhe të mesme, si masë paraprake nga Drejtoria Arsimore Rajonale e San Diegos.

Top Channel