KE: Nuk përjashtohet kalimi i refugjatëve përmes Shqipërisë drejt Italisë

26/01/2016 00:00

Përforcimi i kontrollit kufitar mes Greqisë e Maqedonisë, në qarqet europiane ka nxitur dyshimet për kalimin e refugjatëve përmes Shqipërisë, për në Itali. Një skenar, që ndonëse nuk përjashtohet, nuk është studiuar ende formalisht nga strukturat e Komisionit.

Natasha Bertaud, zëdhënëse e KE-së: Unë nuk kam parë ende një analizë risku të kësaj natyre, por sigurisht që ne e dimë dhe e marrim parasysh se, fluksi i emigracionit nuk është i qëndrueshëm dhe mund të devijojë në rrethana të ndryshme. Për momentin nuk kam parë asgjë, që sugjeron këtë rrugë.

Kureshtja për një skenar të tillë lindi, sidomos pas pjesëmarrjes së kryeministrit Edi Rama në samitin e vendeve të përfshira në korridorin e Ballkanit Perëndimor të refugjatëve, në fund të tetorit 2015, dhe të ekspertëve vendas më pas, për takimet e rregullta teknike në vijim.

Natasha Bertaud: Arsyeja përse u ftua Shqipëria në samitin e udhëheqësve të korridorit ballkanik lidhet me kufirin e saj me Greqinë, duke njohur se fluksi i refugjatëve mund të ndryshojë, por edhe se në të kaluarën ka pasur fluks refugjatësh, që kalonin nga Shqipëria, apo që vinin nga Shqipëria. Kjo i dha kuptim përfshirjes së saj në këtë proces, që përmblidhte vendet e prekura, apo që mund të prekeshin nga korridori i kalimit të refugjatëve.

Ditët e fundit, me ndihmën specifike të disa shteteve anëtare të BE-së, Maqedonia ka rritur kontrollin kufitar në pikëkalimet me Greqinë, duke vështirësuar hyrjen e refugjatëve për në territorin e saj.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel