Korçë, të shtëna me armë pranë Burgut të Drenovës

26/01/2016 00:00

Disa të shtëna me armë në afërsi të Burgut të Drenovës kanë shkaktuar panik pasditen e së martës.

Alarmi ka ardhur pikërisht nga IEVP Drenovë, ku edhe pse janë dëgjuar disa të shtëna me amë zjarri në distancë nga ambientet e tij, është kërkuar një mobilizim i forcave të policisë për t’i paraprirë çdo rreziku.

Burime të policisë bënë me dije se nga salla operative e burgut është sinjalizuar se në afërsi të këtij institucioni janë dëgjuar 6 të shtëna me armë zjarri.

Mësohet se dyshimi ka qenë që të shtënat të jenë dëgjuar në afërsi të fshatit Qatrom vetëm 500 m në distancë nga ky burg, çka ka sjellë edhe nisjen e kërkimeve për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti.

Ka qenë pikërisht titullari i burgut të Drenovës, Robert Kodra, i cili ka deklaruar se rreth orës 18:00 janë dëgjuar disa të shtëna të shkëputura nga njëra-tjetra ndaj dhe ai ka kërkuar asistencën e bluve të qytetit juglindor për të qenë i parapërgatitur për çdo rast.

Ndërkaq, patrulla të policisë mësohet të jenë shpërndarë në të gjithë fshatrat në afërsi të burgut për të zbuluar se çfarë ka ndodhur.

Burime të rezervuara të policisë bënë me dije se dyshimet e para janë ngritur për dy pista të mundshme, ajo e ndonjë ngjarje e cila nuk ka lidhje me burgun e Drenovës, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që këto të shtëna të jenë bërë për të tërhequr vëmendjen e bluve drejt burgut. 

Top Channel