Kosovë, 21-vjeçarja me leuçemi akute apelon për ndihmë

26/01/2016 00:00

Prej disa muajsh, Miranda Toplana, 21 vjeç nga fshati Kijevë i Malishevës, është diagnostikuar me leuçemi akute.

“Vajza ime është diagnostikuar me leuçemi qysh në shtator. Kemi bërë disa analiza në Klinë, pastaj te hemotologu në Prishtinë, i cili e ka shtruar në spital dhe ka dalë në përfundim që është me leuçemi akute. Është trajtuar me ato mundësi që ka pasur spitali. Prej aty na kanë dhënë rekomandimin e mjekëve, që kjo duhet të trajtohet jashtë vendit, për shkak se në Kosovë nuk ka kushte”, shprehet Nisret Toplana, babai i 21-vjeçares.

Pas diagnostikimit me leuçemi, Miranda ka ndërprerë studimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa mungesën e saj në qendrën studentore po e përjetojnë rëndë edhe shoqet e shkollës.

“Për ne ishte shumë e pakuptueshme. Askush nuk mund ta kuptojë, as ta besojë, se Miranda është sëmurë me leuçemi akute. Kemi qëndruar vazhdimisht bashkë, ndërsa këto 3 muaj po na mungon shumë”, thotë Donjeta Çoçaj, shoqja më e ngushtë e Mirandës.

Në statistikat e fundit, të publikuara në nëntor të vitit 2015 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, numri i rasteve të reja me sëmundje malinje dhe beninje në Kosovë është 2989.

Trajtimi i kësaj sëmundjeje nuk mund të bëhet në spitalet e Kosovës, ndaj Miranda ka 3 muaj që po trajtohet në njërin prej spitaleve të Stambollit, me të cilin Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka lidhur marrëveshje për raste të tilla.

Trajtimi i kësaj sëmundje në Turqi, I ka kushtuar familjes Toplana deri më tani rreth 200 mijë euro, prej të cilave 30 mijë i ka dhënë Ministria e Shëndetësisë.

“Në fillim e kemi transportuar me aeroplan ambulantor, që ka kushtuar rreth 12 mijë euro. Me 30 mijë euro ka kontribuuar Ministria e Shëndetësisë, e më tej bashkëfshatarët, rrethi i ngushtë familjar e të tjerë. Shuma e përgjithshme deri më tani është 171 mijë euro”, tha Nisret Toplana, babai i Mirandës.

Një fushatë në rrjetet sociale, të cilës i janë bashkuar edhe artistë, ka për synim t’i vijë në ndihmë familjes Toplani, edhe pse të shumtë janë ata që kanë ndihmuar deri më tani, jo vetëm të afërm, por edhe banorët e fshatit ku jetojnë.

Megjithatë, deri në fund të marsit kjo familje duhet të sigurojë edhe rreth 80 mijë euro, për të përfunduar të gjitha kimioterapitë e parashikuara.

“I falënderoj shumë për ndihmën e dhënë dhe u kërkoj që të na ndihmojnë përsëri”, apeloi Ledion Toplana, vëllai i saj.

Top Channel