Përplasjet në PS, të majtët drejt një Kongresi me debate

26/01/2016 00:00

Sulmi i fundit i Ben Blushit ndaj kryetarit të PS-së, pas një sërë kritikash – gati akuzash,- që ai bën ndaj Ramës prej vitesh, duket se po e kthen Partinë Socialiste në një klimë të ngjashme me kongreset e viteve 1999 dhe 2003.

Koha e intrigave dhe përplasjeve politike brenda së majtës, që sapo kishte ardhur në pushtet, nisën të kulmojnë vetëm një vit pas zgjedhjeve problematike të 1997-s. I dorëhequr në shtator të 1998-s nga posti i kryeministrit, Fatos Nano u sfidua në kongresin e radhës në Partinë Socialiste nga Pandeli Majko, pasuesi i tij në qeveri.

Dyshja Majko-Meta, që drejtonin qeverinë pas grushtit të shtetit më 14 shtator, krijoi një aleancë, që në përfundim synonte zgjedhjen e Majkos kryetar të partisë në pushtet. Por, në një takim pak përpara Kongresit me kryetarin Nano, Meta, i cili mbante edhe postin e kryetarit të FRESSH-it, drejtoi votat e të rinjve drejt tij, duke i shkaktuar humbjen Majkos.

Me humbjen në zgjedhjet për kryetar të partisë, Majko la edhe postin e kryeministrit. Në këtë mënyrë ishte Meta, ai që zuri vendin e ish-aleatit të tij në drejtimin e qeverisë, duke u zgjedhur me votim nga forumet, mbase kjo ishte marrëveshja.

Koha e paqes brenda socialistëve u shoqërua me kandidimin e ish-ministrit të Kulturës, Edi Rama, në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës me mbështetjen e fortë të të gjithëve, veçanërisht të Metës, që në këtë mënyrë largoi nga qeveria njeriun që i zinte hapësirën politike dhe mediatike të qeverisë.

Pas humbjes më 20 gusht të 2001-shit të kandidatit të mbështetur nga Nano për kryeministër, Arben Malaj humbi në votimin e KPD-së përballë Ilir Metës, që u rikonfirmua kryeministër, kryetari i PS-së nisi lëvizjen për “katarsis”, lëvizje që pozicionoi aktorët aktualë të politikës në anë të ndryshme dhe çeli një spirale, e cila duket se nuk ka përfunduar ende.

Viti 2003 solli edhe përplasjen finale në muajin dhjetor. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, pas rikonfirmimit në këtë post në vitin 2003, shpalli kandidimin e tij për postin e kryetarit të Partisë Socialiste, duke marrë edhe mbështetjen e Ben Blushit në atë kohë.

Në përfundim, Nano rizgjidhet kryetar me mbi 260 vota, Mejdani me 61 dhe Edi Rama me 41. Ky i fundit deklaronte se, kandidonte që të shpëtonte Partinë Socialiste nga humbja e sigurtë në vitin 2005. Këtë theksoi edhe para delegatëve të Partisë Socialiste në Kongres, fjalim që u zbeh nga entuziazmi i rizgjedhjes së Fatos Nanos.

Përplasja e dy të mëdhenjve vazhdonte, deri sa në dhjetor të vitit 2003, pas një mbledhjeje Kryesie 8 orë të gjatë, paqja nuk u arrit dhe Meta la çdo post që mbante në qeverinë e PS-së, duke ikur për të krijuar LSI-në.

E vetmja tezë fituese e Edi Ramës ishte miratimi i platformës për fraksionet. Paradoksalisht, më shumë se një dekadë më pas, Edi Rama dhe Ben Blushi duken në kahet ekstreme edhe në këtë pikë, që dikur i bashkoi në garën për rinovimin e lidershipit të selisë rozë.

Top Channel