Dule: PBDNJ-ja nuk është më pjesë e koalicionit

26/01/2015 19:50

Vangjel Dule do të dalë nga koalicioni qeverisës. Lajmin e dha në studion e lajmeve në Top Channel.

“Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ‘de facto’ nuk është më pjesë e koalicionit qeverisës, por ‘de jure’ nevojitet edhe një vendim kolegjial i strukturave drejtuese të partisë dhe është kongresi të cilit i takon vendimmarrja përfundimtare. Personalisht, si kryetar i partisë, do t’i propozoj kongresit të ardhshëm, në fund të pranverës, daljen edhe ‘de juro’ nga ku koalicion”, u shpreh Dule.

Vangjel Dule jep edhe arsyet e daljes nga koalicioni.

“Në qoftë se ne jemi distancuar nga koalicioni qeverisës është pikësëpari një koalicion që dështon në prioritetet e veta strategjike”, vijoi kreu i PBDNJ-së.

Vangjel Dule dha këto argumente në studion qendrore të lajmeve të Top Channel, pas takimit të pazakontë të tij me kreun e PD-së, Lulzim Basha në një vend shumë publik, selinë e Partisë Demokratike.  

Takimi mes Bashës dhe Dulës zgjati 30 minuta, ndërsa ky i fundit e përshkroi takimin me kreun e opozitës si një “kafe kortezie”.

Të njëjtës përgjigje iu përmbajt edhe në intervistë kreu i PBDNJ-së i pyetur për takimin me Bashën.

“Në këtë takim kortezie nuk mund të mbetej jashtë kuadrit të tij edhe shkëmbimi i mendimeve në lidhje me reformën në drejtësi, reformën zgjedhore dhe çështje të tjera të cilat preukopojnë realitetin”, tha ai.

Vangjel Dule që nuk nxitohet ta quajë fillimin e një bashkëpunimi takimin me Lulzim Bashën, kreun e PD- së që është në kërkim të aleatëve të koalicionit opozitar.

Megjithatë Dule nuk e ka parë si pengesë për të qenë pjesë e koalicionit opozitar afrimin e një partie nacionaliste si ajo e Kreshnik Spahiut me Partinë Demokratike.

Top Channel