Dialogu Kosovë-Serbi, Mustafa-Vuçiç takohen pasditen e së mërkurës

26/01/2016 00:00

Të mërkurën pasdite pritet të mbahet tryeza e parë e këtij viti, për dialogun e nivelit të lartë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, mes Serbisë dhe Kosovës, siç konfirmoi zyra e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, duke theksuar se ky proces nuk ka lidhje me dialogun për liberalizimin e vizave ndaj kosovarëve.

Maja Koçijançiç, zëdhënëse e KE: Mund të konfirmoj se, takimi i radhës do të mbahet nesër (e mërkurë) pasdite në Bruksel, në nivel të kryeministrave të Serbisë dhe të Kosovës, si dhe me praninë e Përfaqësueses së Lartë të BE-së. Ata do të bisedojnë për nivelin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani, në kuadër të këtij dialogu, meqenëse ne duhet të verifikojmë vazhdimisht hapat konkret në terren, si dhe do të shihen mundësitë sesi do të vazhdojë në të ardhmen ky dialog. Dialogu me Serbinë nuk ka të bëjë me dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën. Këto janë, dukshëm, dy procese të ndryshme.

Dialogu i nivelit të lartë Kosovë-Serbi nisi në tetor të vitit 2012, ndërsa ky shënon raundin e 30 të bisedimeve, pas 6 takimeve të ngjashme vitin e kaluar, në Bruksel. Për herë të fundit, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiç u ftuan për darkën informale, në këtë kuadër më 13 tetor, nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel