Capital One Cup, Liverpool kalon në finale

26/01/2016 00:00

Liverpooli është kualifikuar për në finale të Capital One Cup. Skuadra e Jurgen Klopp ka vuajtur për 120 minuta duke pritur goditjet nga 11-metra për të festuar në “Anfield” kualifikimin ndaj Stoke City.

Formacioni i Klopp hyri në ndeshje me një epërsi minimale prej 1-0 nga ndeshja e parë në “Britania Stadium”, mirëpo miqtë dëshmuan se nuk ishin dorëzuar, duke shënuar në fund të pjesës së parë.

Lojtarët e Liverpool protestuan për golin e Arnautovic pasi pretenduan se lojtari i Stoke ishte në pozicion jashtë loje. Gjithsesi, goli ishte i rregullt sipas gjyqtarit, të cilit iu desh të udhëhiqte skuadrat drejt shtesave dy herë nga 15 minuta pasi për 90 minuta rezultati qëndroi 0-1, ose i barabartë pas 180 minutash.

Edhe 30 minuta në “Anfield” nuk prodhuan gola dhe penalltitë vendosën skuadrën e parë finaliste. Crouch dhe Muniesa dështuan të shënojnë nga pika e bardhë për Stoke duke bërë që “të kuqtë” të shkojnë në “Wembley”në fund të muajit shkurt.

Me këtë rast, Liverpool u kualifikua për herë të 12 në finalen e këtij kompeticioni, duke shënuar një rekord të ri, ndërsa nëse arrin ta fitojë do të ngrejë lart këtë trofe për herë të nëntë, më shumë se çdokush tjetër.

Top Channel