“Divorci” i Dules me PS-në, Minxhozi: Ja pse ndodhi

27/01/2016 00:00

Një e martë dinamike me shumë ngjarje politike në vend dhe për të biseduar përballë gazetarit Pandi Gjata në studion e “Revistës Televizive të Mbrëmjes” ishte i ftuar Skënder Minxhozi.

Biseda nisi me takimin mes kreut të opozitës, Lulzim Basha dhe Vangjel Dulës, që për Minxhozin nuk është ndonjë befasi, ashtu si edhe deklaratat e Dules që “de facto” PBDNJ është jashtë koalicionit qeverisës.

Sipas tij, ka dy arsye që PBDNJ ka ndarë rrugët me PS-së, ndërsa një parti e tilla që avancon axhenda të veçanta kërkon që gjithmonë të jetë në koalicion, mundësisht edhe në qeveri.

Po ashtu, Minxhozi ka komentuar edhe deklaratat e Ben Blushit që la të hapur mundësinë e një kandidimi për postin e kreut të PS-së, duke thënë se me një veprim të tillë do të përfitonte edhe vetë PS.

Intervista e plotë:

Pandi Gjata: Le ta nisim me atë që mund të cilësohet si ngjarja e ditës, takimi mes Bashës dhe Dulës, që vjen pas një kohe shumë të gjatë. Madje, zt. Dule shpjegoi edhe divorcin me Partinë Socialiste dhe Edi Ramën që deklaroi se do të jetë kongresi që ai do të mbyll “de jure” këtë marrëveshje që “de facto” është e përfunduar. E shikon PBDNJ-në së shpejti djathtas?

Skënder Minxhozi: Faktikisht PBDNJ është një forcë politike e mbetur pa aleancë dhe partitë e tilla, që avancojnë axhenda specifike dhe problematika mjaft të veçanta, kanë nevojë që të jenë gjithmonë në koalicione në mënyrë që të maksimalizojnë fuqinë elektorale që kanë dhe mundësisht të jenë në koalicione qeverisëse. Kjo për zt. Dule është bërë prej kohësh e pamundur dhe ka dy arsye që nuk vareshin shumë nga ai se sa nga dinamika e zhvillimeve që morën ngjarjet brenda koalicionit qeverisës pas një linje politike që zgjodhi kreu i këtij koalicioni, Edi Rama. Do të thosha së pari afrimi me PDIU-në, që është një marrëdhënie përjashtuese automatikisht për zt. Dule siç PBDNJ e ka bërë të qartë në më shumë se një rast dhe një faktor tjetër që përcaktoi marrëdhënien e Ramës dhe Dulen ka qenë linja e ashpër, do të thosha unë, në atë segment të politikës së jashtme shqiptare, pra politikës që ndoqi qeveria shqiptare pas vitit 2013-s ndaj shtetit grek. Kemi një politikë të Tiranës ndaj Greqisë e cila nuk i ka kursyer tonet e larta apo fërkimet për shumë e shumë çështje ku marrëveshja detare është një nga themeloret, por ka edhe probleme të tjera që lidhen me refugjatët, me pakicat, etj., etj., pra ka një gamë marrëdhëniesh të tillë që bëjnë që një parti si PBDNJ-ja nuk bashkëjeton dot me një marrëdhënie të acaruar Tiranë-Athinë. Pra janë këto dy arsye që e kanë shtyrë të ketë këtë qëndrim dhe jo domosdoshmërisht të shikojë djathtas, por të shikoi për një zgjidhje tjetër rezervë përveç asaj që ajo kishte parashikuar në vitin 2013.

Pandi Gjata: Nëse ikën Dule, dhe është i ikur si individ, dhe nëse PDBNJ vendos në kongres ikjen zyrtarisht, PS mund të riskojë me një deputet tjetër të qarkut të Vlorës që është i PBDNJ-së por është në listat e PS-së zt. Andrea Marto apo jo?

Skënder Minxhozi: Këto janë llogari në funksion të situatave që krijohen mes partive. Megjithëse kjo maxhorancë ka nevojë për çdo votë, sidomos me afrimin e reformave të mëdha, një deputet është gjithsesi pak ndër 140. Unë do ta shihja më shumë këtë kontakt të parë të PBDNJ-së me opozitën si një zhvillim fiziologjik brenda spektrit politik ku partitë të cilat nuk e gjejnë vetën në njërën anë kalojnë në anën tjetër do të thotë nuk ka asgjë të pazakontë. Për hir të së vërtetës Vangjel Dule ka qenë një aleat besnik i PS-së edhe në kohën kur ajo qëndroi në opozitë, pra si të thuash e vuajti opozitën së bashku me socialistët në vite shumë të vështira, sidomos në mandatin e dytë të qeverisë së djathtë, por kalimi i tij drejt opozitës së djathtë në këtë moment përcaktohet nga marrëdhëniet e pariparueshme, me sa duket, që ka ndërtuar kohë më parë me Edi Ramën, por që nuk përbejnë më as zhvillim pasi divorci mes palëve është konsumuar shumë muaj më parë.

Pandi Gjata: Ngjarje e rëndësishme ishte edhe ajo që Ben Blushi, përmes një interviste në Top Channel, njoftoi se në kongresin e 19 marsit do të paraqes platformën e tij dhe la të hapur mundësinë e kandidimit përballë Edi Ramës për postin e kryetarit, por i gjithë diskutimi i tanishëm është se PS mund të ndjek edhe një model laburist që do të thotë se nuk ka vazhdim mandati për kryetarin që ka fituar zgjedhjet. Si e shihni këtë rikthim debati dhe duelin Rama-Blushi në PS për ditët dhe javët në vijim?

Skënder Minxhozi: Besoj se pyetja juaj ka dy momente, por dua ta filloj nga i dyti, pra nga fundi i pyetjes nëse PS do të zgjedh një model laburist. Më duket si një shkelje e panevojshme e statutit të partisë është si shqyesh derën e hapur, Ramës do t’i mjaftonte të ulte dorezën e derës dhe ajo të hapej pasi në ato momente konfirmimi i tij në krye të partisë nuk ishte absolutisht në pikëpyetje, megjithatë ai vendosi që ai të shkelë statutin dhe unë e quaj atë si një gjë jo normale, në qoftë se ka rregulla të shkruara ato duhet të zbatohen. Që të veprosh qysh në vitin 2013, ose edhe pak muaj më vonë, me logjikën se do të mbledhim kongresin dhe do të ndryshojmë statutin dhe do të përshtatim formulën laburiste do të thotë se nuk ke bërë asgjë sepse ndërkohë statuti është ende në fuqi edhe nuk e parashikon mos votimin e kryetarit në rast fitoreje.

Pandi Gjata: Po rikthimi i Blushit?

Skënder Minxhozi: Rikthimi i Blushit më duket një normalitet, më duket jo vetëm normalitet për klimën në PS, por edhe për vetë politikanin që pritet ta ndërmarrë. Mbetet gjithmonë pak skeptik në këtë që ju njoftoni sepse dua që Blushin ta shoh në veprim pastaj ta besoj. Blushi ka njoftuar disa herë brenda këtyre viteve se do të fillonte një oponencë kundër Ramës, do të ishte një oponencë e shëndetshme brenda partisë ndaj kryetarit sepse Rama i pari dhe PS-ja e dyta po shihen se në këto kushte kanë nevojë për një debat të brendshëm mes tyre, forume që nuk mblidhen prej shumë kohësh, një kryesi që edhe kur është mbledhur është mbledhur formalisht, një parti e cila praktikisht nga pikëpamja statutore dhe e funksionimit ka rënë në një paralizë si ajo e PD-së kur ishte në pushtet. Nëse Blushi kthehet dhe ka një platformë do të lëvizë ujërat kjo do të ishte në përfitim të të gjitha palëve, të nismëtarit, por edhe të atyre që do të dukeshin se do të ishin në goditje të kësaj nisme.

Pandi Gjata: Edhe një koment të shkurtër për atë që uli bashkë Ramën, Bashën dhe Metën, një diskutim për reformën zgjedhore. Të duket një diskutim i shtruar mbarë për një reformë të rëndësishme apo do të jetë edhe ajo siç kishim shumë probleme mes palëve për reformën në drejtësi?

Skënder Minxhozi: Personalisht këto shfaqje i vlerësoj minimalisht, për të mos thënë se i vlerësoj pak ose aspak, sepse shou të tillë që të gjithë krerët kur dalin në një event të një shoqate të njohur dhe në prani të ambasadorëve të huaj nuk është se i lëvizin balancat e lojës ose pretendimet, interesat tejet të medha që kanë në këtë reformë. Jam dëshpëruar dhe i kam dhënë më tepër rëndësi asaj që thanë përfaqësuesit e Komisionit të Venecias pak ditë më parë kur i lanë në dorë të politikës shqiptare “dy patatet e nxehta” të reformës që janë mandati i Prokurorit dhe çështja e shumicës parlamentare me të cilën do të votohen institucionet e reja të drejtësisë, ka shumë më tepër rëndësi ky gjest dhe ajo çka ky gjest mund të prodhojë potencialisht në politikën shqiptare se sa leximi i disa fjalimeve të parapërgatitura nga të tre krerët partiakë dhe institucionalë të cilët bënë një shou duke treguar formalisht se janë për reformën. Problemi nuk është a janë për reformën, por sa të fuqishëm janë për reformën dhe çfarë janë gati të çedojnë nga interesat e tyre të vogla në mënyrë që kjo reformë të arrihet.  Kam dyshime se duke lënë të hapura dy problemet e mësipërme dhe duke mos na ardhur në formë imponuese si formula të qarta dhe të panegociueshme nga Komisioni i Venecias, të cilën të gjitha palët e kanë pranuar tashmë si arbitrin e reformës, kam frikë reforma ka një pikëpyetje të madhe dhe e shoh të largët fundin e një negociate shqiptare për këto dy pika kaq të nxehta.

Top Channel