Indeksi i demokracisë, Shqipëria në vendin e 81-të

27/01/2016 00:00

Agjencia britanike e kërkimeve dhe analizave “The Economist Intelligence Unit” ka publikuar indeksin e demokracisë për vitin 2015.

Në këtë indeks ku janë në analizë 167 shtete, Shqipëria renditet e 81-ta me vlerësimin e përgjithshëm 5.91, duke u ngjitur 7 vende krahasuar nga një vit më parë, por sërish, nga katër ndarjet e niveleve të demokracisë në: Demokraci e plotë, Demokraci me defekte, Regjime hibrid dhe Autoritarizëm mbetet ne grupin e vendeve të cilësuara si me “regjime hibrid”.

Që në hyrje të analizës thuhet se pavarësisht se vendet ish-komuniste të Ballkanit mbeten pas, krahasuar me pjesën qendrore të Europës ne standardet e demokracisë, Shqipëria dhe Bullgaria kanë arritur disa progrese të rëndësishme, por tek ne mbetet problem lufta politike.

“Shqipëria ka bërë disa përparime në vitin 2015 në reformimin e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, edhe pse progresi është duke mbetur pas nga grindjet politike ndërmjet qeverisë dhe opozitës”, thuhet në raportin e “The Economist Intelligence Unit”. 

Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria lë pas vetëm Bosnjë Hercegovinën, indeksi i së cilës është 4.83. E para në rajon është Kroacia me indeksin 6.93, më pas Serbia 6.71, Maqedonia 6.02 dhe Mali i Zi i 6.01. Në këtë indeks merren në studim 5 elemente që  tregojnë nivelin e demokracisë në një shtet.

Më dobët, me indeksin 4.36 nga 10, Shqipëria vlerësohet në “Funksionimin e Qeverisë”. “Kultura politike” është vlerësuar me 5. 5.56 pikë ka marrë “Pjesëmarrja në politikë”. “Procesi zgjedhor dhe pluralizmi është vlerësuar me 7 nga 10 pikët e mundshme. Më të vlerësuara në Shqipëri janë “të drejtat e njeriut” me 7.65.

Në krye të indeksit për demokracitë në botë qëndron Norvegjia, e ndjekur nga Islanda, Suedia, Zelanda e Re dhe pesëshja e parë mbyllet me Danimarkën. Të fundit renditen Siria dhe Korea e Veriut.

Top Channel