Dueli i parë parlamentar midis kryeministrit grek Aleksis Tsipras dhe liderit të ri të Demokracisë së Re, Kiriakos Mitsotakis, ka qenë tepër i ashpër. Në epiqendër të tij ka qenë reforma e pensioneve, që ka shkaktuar protesta gjatë ditëve të fundit nga shumë grupe shoqërore dhe kryesisht nga fermerët që vazhdojnë të bllokojnë për disa orë rrugët kryesore të vendit.

“Nëse nuk marrim urgjentisht masa, sistemi i pensioneve nuk do të mbijetojë”, ka paralajmëruar Tsipras. “Është më mirë të rrisim pak kontributet apo pajtohemi me udhëzimet e FMN-së për të shkurtuar edhe njëherë të gjitha pensionet?”, ka pyetur ai deputetët konservatorë në fjalimin e tij, ku ka fajësuar për gjendjen aktuale qeveritë e kaluara të Demokracisë së Re dhe Pasok-ut.

“Nëse nuk marrim masa, sistemi do të shembet. Nëse nuk do marrim masa, vazhdimisht do të duhen shuma të mëdha nga buxheti i shtetit për të paguar pensionet, shuma të cilat nën situatën aktuale financiare është e pamundur të sigurohen”, tha Tsipras. 

Nga ana e tij lideri i Partisë Konservatore, Mitsotakis ka akuzuar kryeministrin se deri në fund të vitit 2014 plani i Demokracisë së Re për sistemin e pensioneve premtonte jetëgjatësi për katër dekada, por sapo erdhi në fuqi Syriza çdo gjë ndryshoi për më keq. Ai ka bërë thirrje gjithashtu për anulimin e gjithë emërimeve të reja në administratën shtetërore: “Propozimi juaj rezulton me shkatërrim social dhe financiar. Αi përfshin një obsesion, një koncept klasor të një qeverie e cila sulmon këdo që me sukses përpiqet dhe është aktiv në sektorin privat”.

Pa reformën e pensioneve, për të cilën kreditorët kërkojnë reduktim me 1% të PPB-së, Athina nuk mund të përfundojë shqyrtimin e parë të ecurisë së saj për vazhdimësinë e ndihmës financiare prej 86 miliardë euro. Projektligji i qeverisë për reformën e pensioneve konsiston në rritjen e kontributeve të punëdhënësve dhe të nëpunësve, në mënyrë që të mos reduktohen të gjitha pensionet për herë të 12 brenda 5 vitesh.

Ai përmban krijimin e një enti të përgjithshëm në vend si dhe një pensioni kombëtar prej 384 eurosh për të gjithë qyetarët që kanë punuar të paktën 15 vjet. Kjo shumë do të rritet nëse rritet edhe PBB-ja, ndërsa vlera e saj do shtohet nga kontributet e gjithësecilit si dhe vitet e punës.

Ndërsa në Parlament diskutohej jashtë tij, qindra përkrahës të Partisë Komuniste kanë zhvilluar një protestë kundër reformës së pensioneve që kërkon të aprovojë qeveria.

Top Channel