Netanyahu akuzon shefin e OKB-së: Po nxit terrorizmin

27/01/2016 00:00

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu kaloi në akuza të ashpra ndaj Sekretarit të Përgjitshëm të Kombeve të Bashkuara, duke deklaruar pa doreza se Ban Ki-moon po nxit terrorizmin.

Shkak i zemërimit të shefit të ekzekutivit hebraik u bënë komentet e numrit një të OKB-së përpara Këshillit të Sigurimit, lidhur me pakënaqësinë gjithmonë në rritje të palestinezëve ndaj pushtimit izraelit.

Për popujt e shtypur, është brenda natyrës njerëzore të reagojnë ndaj okupatorit, deklaroi Ban Ki-moon. Kritika e tij nuk ishte e rastësishme. Ministria izraelite e Mbrojtjes aprovoi ndërtimin e 153 shtëpive për kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor.

Reagimi i ashpër i “Pallatit të qelqtë” erdhi pak orë pas vendimit të saj polemizues. Për të disatën herë, shefi i OKB-së kujtoi se aktivitetet e kolonizimit janë një dorashkë e hedhur në fytyrën e popullit palestinez dhe të komunitetit ndërkombëtar, edhe për faktin se me të tilla veprime, mundësia e dy shteteve që bashkëjetojnë krah njëra-tjetrës do të venitet përgjithmonë. Argumentet e tij, megjithatë, nuk e bindin Netanyahun.

“Pohimet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së inkurajojnë terrorin. Dhe terrorin, nuk ka asgjë që e justifikon. Vrasësit palestinezë nuk duan të ndërtojnë një komb: ata duan të shkatërrojnë një komb dhe këtë e deklarojnë hapur. Nuk vrasin për paqen e nuk vrasin për të drejtat njerëzore”, tha Benjamin Netanyahu, kryeministër i Izraelit.

Që nga muaji tetor, episodet e dhunës i kanë kushtuar jetën më shumë se 155 palestinezëve, 28 izraelitëve, një amerikani dhe një eritreasi. Sipas autoriteteve izraelite, pjesa dërrmuese e palestinezëve të vrarë kanë qenë agresorë, të tjerët kanë gjetur vdekjen gjatë përleshjeve të armatosura me forcat e sigurisë.

Top Channel