TI: Shqipëria, më pak e korruptuar. Gjatë 2015-s përmirësoi 22 vende

27/01/2016 10:50

Pozicioni i Shqipërisë në renditjen globale të korrupsionit u përmirësua me 22 vende vitin e kaluar. “Transparency international”, organizata më autoritare në botë për vlerësimin e korrupsionit publikoi raportin e vitit 2015, duke e renditur Shqipërinë të 88-n në botë, nga vendi i 110 që ishte një vit më parë.

Të dhënat tregojnë se, ky është përmirësimi më i fortë i renditjes në 10 vitet e fundit, ndonëse këtë vit numri i vendeve të renditura është më i ulët sesa në 2014-n, më konkretisht 167 nga 174 që ishin.

Sipas “Transparency International”, për vitin 2015, Shqipëria ka marrë një vlerësim prej 36 pikësh në kontrollin e korrupsionit, nga 33 pikë që kshte një vit më parë. Metodologjia e vlerësimit jep 100 pikë vendet që kanë zero korrupsion, si dhe 0 pikë ato që kanë një nivel maksimal korrupsioni. Këtë vit, raporti klasifikon 167 vende në të gjithë botën.

Ky është viti i dytë me radhë, që Shqipëria shënon përmirësim në renditjen e korrupsionit. Edhe në 2014-n, vendi u përmirësua krahasuar me një vit më herët, ndonëse me ritme më të ulëta.

Korrupsioni në rajon, TI: Kosova vazhdon të mbetet vendi i fundit

Por pavarësisht përmirësimit, Shqipëria mbetet një nga vendet me nivelin më të lartë të korrupsionit në rajonin e Europës Juglindore, duke lënë pas vetëm Moldavinë dhe Kosovën, të cilat renditen të dyja në vendin e 103-të.

Në 2014-n, Kosova renditej në të njëjtin pozicion si Shqipëria, pra në vendin e 110, pasi sipas metodologjisë së “Transparency International”, shtetet me nivel të njëjtë korrupsioni renditen në të njëjtin numër klasifikimi.

Vendet e tjera të rajonit si Maqedonia, Serbia e madje edhe Bosnje-Hercegovina, kanë një nivel më të ulët korrupsioni, duke u renditur me mirë se Shqipëria. Sipas raportit për këtë vit, vendi me nivelin më të ulët të korrupsionit është Danimarka, me 91 nga 100 pikë të mundshme, ndërsa vendi me korrupsionin më të lartë është Somalia, e cila shënon vetëm 8 pikë në kontrollin e këtij fenomeni.

Top Channel