Veliaj: Bashkëjetesa fetare në Shqipëri, pasuri shoqërore. Tajani: Model, që i duhet dhënë Europës

27/01/2016 00:00

Rasti i Shqipërisë “për dialogun ndërfetar, si një mjet i zgjidhjes së konfliktit dhe pajtimit” ishte ngjarje e posaçme e Partive Popullore Europiane në Parlamentin Europian këtë javë, ku nën kujdesin e zëvendëspresidentit, Antonio Tajani, u mblodhën përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare, në vijim të takimit ndërkombëtar të Tiranës “Lutja për Paqe”, të organizuar në shtator nga komuniteti i Sant’Egidios.

Antonio Tajani, zëvendëspresident i PE-së: Shqipëria ka mundësi të përfaqësojë një model të vërtetë të dialogut ndërfetar për të gjithë Bashkimin Europian, sepse në vendin tuaj, të krishterët, myslimanët dhe hebrenjtë jetojnë pa problem njëri pranë tjetrit. Në qendër të Tiranës, në kryeqytetin tuaj, kisha katolike është pranë një xhamie të lashtë. Kjo tregon se mund të jetohet në paqe, duke praktikuar besime të ndryshme fetare. Ne i kërkojmë Shqipërisë shumë gjëra për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por ky lloj modeli është diçka, që Shqipëria mund t’i mësojë Europës.

“Toleranca fetare është një realitet shqiptar, për t’u eksportuar si në Europë, edhe në SHBA”, për deputetin Eduard Selami, i vetmi demokrat i pranishëm, i cili foli në emër të Fondacionit “Konrad Adenauer”, duke kujtuar me krenari paraqitjen e Shqipërisë vjet në homazhet e Parisit. Krah tij, në këtë panel të së djathtës europiane merrte pjesë dhe kryebashkiaku socialist, Erion Veliaj.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës: Shqipëria është ndoshta i vetmi vend, që shkakton konflikte për çfarëdolloj gjëje tjetër, përveçse për fenë dhe besimin. Besoj se ky ishte një mesazh i fuqishëm dhe më vjen mirë që, edhe pse kryetar bashkie socialist, jam mes eurodeputetëve të djathtë të PPE-së në BE. Ndoshta edhe për të treguar se, kur ka vullnet për të punuar për gjëra të mira, për avancimin e kauzave të drejta, gjendet gjuha edhe mes të majtëve e të djathtëve, ndaj ndihem natyrshëm mes kolegëve të djathtë. Më vjen mirë, se kjo është një reklamë, në thelb, për Shqipërinë e Tiranën dhe besoj se kur të ngrihen duart për vendimet e Shqipërisë, ndër të gjitha kriteret e tjera do të gjykohemi edhe për këtë lloj pasurie që i sjellim botës, në këtë kohë shumë të trazuar prej terrorizmit dhe radikalizmit.

Ali Zaimi, nëkryetar i Komunitetit Mysliman në Shqipëri: Ne jemi europianë. E veçanta e Shqipërisë, për mua qëndron te fakti se, kultura për bashkëjetesën merret së pari në familje, më pas nga fqinjët dhe e gjithë shoqëria. Si shqiptarë, por dhe si myslimanë, i kemi dëshmuar botës vlerat e bashkëjetesës dhe të dashurisë për njëri-tjetrin, në momentet më të errëta të historisë njerëzore. Jo vetëm myslimanët shqipëtarë, por dhe katolikët e ortodoksët mikpritën dhe u bënë strehë për hebrenjtë gjatë periudhës së persekutimit më të madh ndaj tyre.

Mesazhe të ngjashme përcollën si nënkryetari i komunitetit hebre në Shqipëri, edhe sekretari i Përgjithshëm i feve pranë Komunitetit të Sant’Egidios, i cili fliste edhe në emër të katolikëve shqiptarë, mungesa e të cilëve mirëkuptohej në Bruksel me ndarjen nga jeta të kreut të Kishës Katolike shqiptare, dhjetorin e kaluar.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel