Në analizën e punës së Policisë së Shtetit, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e ka konsideruar 2015-n, një histori suksesi.

Ai theksoi numrin e ulët të vrasjeve dhe të krimeve në përgjithsësi, e gjithashtu vlerësoi rikthimin e besimit të publikut te policia. Tahiri cilësoi skandaloz faktin që, edhe pse kanë kaluar disa javë nga shpallja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për armëmbajtjen pa leje, vendimi nuk po zbradhet duke u bërë pengesë për këtë nismë.

“E quaj skandaloze që një vendim i tillë nuk është zbardhur ende, me pasoja kaq të rënda në shoqëri. Por që nga dita kur ky vendim u bë publik e deri më sot, janë 85 rastet e armëmbajtjes pa leje, plot 3 të tilla në ditë. Dua të shfrytëzoj këtë rast, këtu përpara jush, për t’i bërë thirrje Gjykatës Kushtetuese të zbardhë urgjentisht atë vendim dhe të na japë neve mundësinë, qeverisë dhe mazhorancës, që të miratojnë ndryshimet e duhura në Kodin Penal e të dënojnë maksimalisht ata që mbajnë armë pa leje”, tha ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Ministri i Brendshëm deklaroi se, nga ky vit, çdo polic do të qëndrojë në detyrë vetëm nëse kalon testin periodik fizik.

“Kush nuk kalon testin nga punonjësit e policisë, e këtu përfshihen edhe drejtuesit, nuk duhet të jetë më në punë”, deklaroi ministri Tahiri.

Tahiri i bëri thirrje Prokurorisë për më shumë hetime proaktive, kryesisht në luftën kundër korrupsionit.

Top Channel