Presidenti i Iranit, Rouhani zbret në Paris sërish për çështje biznesi

27/01/2016 00:00

Pas vizitës treditore në Itali, Presidenti iranian Hassan Rouhani e vazhdon me një ndalesë në Francë turin e tij europian. Kreu i Republikës Islamike pritet të sigurojë disa marrëveshje tepër të vlefshme tregtare, tani që sanksionet mbi programin bërthamor të Iranit janë hequr.

Një prej tyre, me shumë gjasë do të jetë ujdia me “Airbus”-in për më shumë se 100 avionë të rinj. Diskutohet gjithashtu edhe nënshkrimi i kontratave me prodhuesit e rëndësishëm të makinave, “Peugeot” e “Renault”.

Në program është edhe një takim me shefin e Elizesë, Francois Hollande. Vizita e Rouhanit në Itali përfshiu një takim me kryeministrin, Matteo Renzi, në muzeun “Capitoline” në Romë, ku statujat e zhveshura u mbuluan dhe vera u hoq nga mënyra zyrtare e pritjes, në shenjë respekti për ligjet e rrepta të Republikës Islamike, veprime që sidoqoftë nuk kaluan pa polemika.

Gjithashtu është mësuar se diplomatët iranianë kanë kërkuar që edhe në drekën me Presidentin Hollande të mos shërbehet verë, gjë që ka detyruar zyrtarët fancezë të shtyjnë takimin mes dy krerëve më të lartë të dy vendeve respektive pas drekës.

Vizita 5-ditore e Rouhanit në Itali e Francë përbën të parën zyrtare të një presidenti iranian në afro dy dekada.

Top Channel