Shkodër, 20 familje protestojnë për banesat. Shkak shitja e shtëpive nga bashkia në 2009

27/01/2016 00:00

Përmbaruesit shkuan për të nxjerrë 20 familje jashtë një ndërtese, në qytetin e Shkodrës. Të ardhur nga zona e thellë e Dukagjinit para 19 vitesh, familjet u strehuan me vendim të Këshillit Bashkiak në vitet ’90, në ndërtesën e ish-Ndërmarrjes së Gjeologjisë.

Sot, kjo ndërtesë është privatizuar nga bashkia, privatizim që banorët e kanë paditur si të parregullt në gjykatë. Pas qindra seancash gjyqësore, në derën e tyre mbërritën përmbaruesit, të mbështetur nga 50 forca policie.

Refuzimi për të lëshuar banesat është shoqëruar me përplasje fizike. Gratë qëndronin në rreshtin e parë, në rrugë u vendosën gurë, më pas qëndronin meshkujt. Banorët kishin përgatitur edhe gurë, vezë dhe shishe me molotov, për të rezistuar deri në fund. Situata u tensionua, kur një 15-vjeçare shtyu një oficer policie.

Policia ruajti qetësinë, ndërsa pas negociatave, banorët arritën të sigurojnë me marrëveshje me përmbaruesit, edhe 6 muaj kohë deri sa ankesat e tyre të përfundojnë së shqyrtuari në gjykata. Policia është larguar, ndërsa 20 familjet kanë nisur punën për të paraqitur në gjykata të gjitha dokumentet, që mbështesin pretendimin e tyre.

Top Channel